BE: Pamundësimi i një partie për të marrë pjesë në zgjedhje për arsye politike do të ishte një hap serioz prapa për Kosovën
Bashkimi Evropian deklaroi sot se pamundësimi i cilësdo parti për të marrë pjesë në zgjedhje për arsye politike do të ishte një hap serioz prapa për Kosovën. Ata theksojnë gjithashtu se përgjegjësia për këtë bie mbi të gjithë anëtarët e KQZ-së, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.
"BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, në konkluzionet e Këshillit të datës 17 dhjetor, kanë theksuar përparimet pozitive në Kosovë lidhur me kuadrin zgjedhor, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Ndërsa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë demokracinë, mungesa e certifikimit të një partie politike për arsye politike, dhe jo për arsye të procedurave ligjore, do të përbënte një hap serioz prapa," thuhet në deklaratën e BE-së.
Ata thonë se të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me ligjet e Kosovës.
Ata theksojnë se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe jo në konsiderata politike.
BE-ja thekson gjithashtu se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
“Ne presim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), roli i të cilit në monitorimin e zgjedhjeve është vendimtar, tani do të sigurojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent përmes të gjithë mekanizmave të aplikueshëm, duke u lejuar votuesve të Kosovës të shprehin qartë zgjedhjet e tyre. Përgjegjësia për ruajtjen e garancive demokratike i takon të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje kaq themelore nuk guxon të politizohet dhe të përdoret si artikull në fushatën parazgjedhore”, është mesazhi i Bashkimit Evropian.
0 komentet