Bërnabiq me Frangesh: Prishtina asgjë nuk ndërmerr për çështjen e de-eskalimit të situatës, shmang formimin e BKS
Kryeministrja e Sërbisë, Ana Bërnabiq, është takuar sot me të dërguarin special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, të cilin e ka njohur me situatën në veri të Kosovës dhe paralajmëroi shmangien e Prishtinës për krijimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe.
Siç thuhet në deklaratën e Qeverisë së Sërbisë, Bërnabiq, duke folur rreth situatës në Kosovë, theksoi se Beogradi ka kohë që po e vë në dukje intensivisht brutalitetin, dhunën dhe diskriminimin ndaj të cilit është ekspozuar popullata sërbe dhe ajo joshqiptare në Kosovë.
“Kryeministrja mes të tjerave, posaçërisht theksoi se Prishtina ende nuk po ndërmerr asnjë gjë për çështjen e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës e Metohisë, si dhe se ende nuk është formuar Bashkësia e Komunave Sërbe ndonëse për këtë e detyron Marrëveshja e Brukselit, e cila është nënshkruar më shumë se 10 vjet të shkuara” thuhet në deklaratë.
Në këtë të fundit shtohet se Frangesh ka falënderuar për informacionin e detajuar rreth situatës në Kosovë, si dhe theksoi se Sllovenia i ofron mbështetje të plotë procesit të integrimit europian Sërbisë, si dhe theksoi rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Europian në rajon.
Ata gjithashtu gjatë takimit, diskutuan një sërë çështjesh aktuale rajonale dhe globale.
0 komentet