Brnabiq me Sorensenin në Pragë: Kurrë nuk ka qenë më keq se nën Kurtin, ai nuk dëshiron dialog
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, u takua në Pragë, në margjinat e Forumit GLOBSEC, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, të cilit, siç tha ajo, i përcolli se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime, por se në anën tjetër nuk ka bashkëbisedues, sepse Albin Kurti është njeri që nuk dëshiron dialog, por dëshiron ta dëbojë popullin serb nga Kosova.
“I thashë hapur se Beogradi ka qenë gjithmonë i gatshëm për bisedime për hir të paqes dhe stabilitetit, se gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje, kemi respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Se Kosovën dhe Metohinë e shohim si krahinën tonë autonome, por se duam të bisedojmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, si dhe për të siguruar atë stabilitet për popullin serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Brnabiq para gazetarëve në Pragë.
Ajo theksoi se problemi është se nuk ekziston pala tjetër për bisedime.
“Kurrë nuk ka qenë më keq se tani, në kohën e Albin Kurtit. Ai nuk dëshiron dialog dhe nuk është politikan pragmatik, ai është plotësisht njeri i ideologjisë dhe qëllimi i tij përfundimtar është që të dëbojë plotësisht jo vetëm popullin serb nga Kosova dhe Metohia, por edhe të gjithë joshqiptarët e tjerë”, deklaroi Brnabiq.
Ajo i tha bashkëbiseduesit se, nëse ata duan të vazhdojnë ta mbështesin atë, nuk mund të llogarisin në një Kosovë multietnike.
“Këtë duhet ta kuptojnë. Kushdo tjetër që ka qenë në krye të institucioneve të përkohshme në Prishtinë, kemi pasur dialog. Kurrë nuk jemi pajtuar dhe kurrë nuk do të pajtohemi, por kemi biseduar, kemi zgjidhur disa probleme, kemi parë si të ndërtojmë të paktën disa ura, që të kemi stabilitet dhe siguri, por kjo është absolutisht e pamundur derisa Kurti është pala tjetër, sepse ai nuk është i interesuar për këtë. Qëllimi i tij i vetëm është të dëbojë serbët nga Kosova dhe Metohia dhe t’u krijojë kushte të pamundura për jetë”, tha Brnabiq.
0 komentet