Vuçiq: Kurti ka nisur gjuetinë ndaj serbëve, do ta mbështesim Listën Serbe dhe do të luftojmë për pozitat e popullit tonë

Aleksandar Vučić intervju
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë më 7 qershor se për serbët do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, sepse Albin Kurti ka nisur gjuetinë ndaj tyre, por se ai do ta mbështesë Listën Serbe dhe do të luftojë për pozitat e popullit serb.

“Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për ne. Albin Kurti ka nisur gjuetinë ndaj serbëve, ndaj njerëzve që janë pushuar nga puna për shkak të mosrespektimit të disiplinës së punës. Dhe ka nisur të arrestojë serbët më të respektuar, drejtorë shkollash dhe qendrash shëndetësore. E gjithë kjo me urdhër të Nenad Rashiqit, por gjithmonë gjenden serbë të tillë që do të jenë në anën e atyre që duan t’i përndjekin serbët”, tha Vuçiq për RTS.

I pyetur se çfarë pret nga zgjedhjet, ai u përgjigj se do ta mbështesë me të gjitha forcat Listën Serbe.

“Do të luftojmë. Do ta mbështesim Listën Serbe me gjithë forcën tonë, do të luftojmë për pozitat e popullit serb. Ndërsa shqiptarët do të bëjnë gjithçka që munden për t’i mposhtur serbët, për t’u dhënë me forcë mbështetje shërbëtorëve të tyre dhe atyre që duan ta shkatërrojnë Serbinë”, theksoi Vuçiq.

I pyetur nëse Asociacioni i Komunave Serbe është një qëllim real, ai u përgjigj se qëllimet janë AKS dhe mbijetesa e popullit serb.

“Absolutisht AKS, kjo është nënshkruar më 19 prill 2013. Por është edhe mbijetesa e popullit tonë. Ne presim se kur dhe në çfarë mënyre shumëkush do të kujtohet se respektimi i Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të KS të OKB-së nuk ka alternativë”, u shpreh qartë presidenti i Serbisë.

Propozimi i Mertzit jashtë kornizës së zakonshme burokratike

Vuçiq vlerësoi se propozimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’i dhënë Ukrainës statusin e anëtarësimit të asociuar është në njëfarë kuptimi i mirë, sepse më në fund është dalë nga mënyra e zakonshme burokratike e të menduarit, por gjithashtu theksoi se Serbia nuk mund të krahasohet me Ukrainën.

Vuçiq shpjegoi se Serbia vështirë se mund të krahasohet me Ukrainën, sepse Evropa e sheh Ukrainën si një vend që ka mbrojtur kontinentin nga Rusia, ndërsa Serbinë, për shkak se nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, nuk e sheh në të njëjtën mënyrë.

“Propozimi i kancelarit Merz bazohet në faktin se ata mendojnë se i detyrohen Ukrainës mirënjohje dhe me këtë duan t’i japin statusin e anëtarit të asociuar. Ndërsa të gjithë të tjerët – sido që të jetë”, tha Vuçiq për RTS.

Ai theksoi se ishte mirë ajo që kishte shkruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama për rëndësinë e hapjes së kufijve dhe përfshirjes në tregun e përbashkët.

“Por, mesazhi i Mertzit është në një kuptim i mirë, sepse më në fund ka filluar të mendohet jashtë kornizës së zakonshme burokratike. A është përmbajtja e kënaqshme për ne – nuk është. Por besoj se mund të jetë një fillim ndryshe”, tha Vuçiq.

Ai është i bindur se Ukraina do të marrë një hapësirë më të gjerë në krahasim me vendet e tjera.

I pyetur nëse gjatë bisedës telefonike të djeshme e kishte ftuar presidentin e Ukrainës Volodimir Zelensky në një vizitë në Serbi, Vuçiq tha se kishin biseduar edhe për një vizitë të mundshme të tij në Beograd.

Ai theksoi veçanërisht se Ukraina nuk e ka njohur Kosovën dhe se kurrë nuk i ka bërë ndonjë të keqe Serbisë.

“Folëm edhe për vizitën e tij të mundshme në Beograd. Pres që të më njoftojë. Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kurrë nuk i ka bërë ndonjë të keqe Serbisë. Është një vend që ndodhet në rrugën evropiane. Si me të gjitha vendet, edhe me Ukrainën kemi marrëdhënie krejtësisht normale”, tha Vuçiq dhe shtoi se Zelensky nuk i kishte kërkuar atij atë që kërkojnë disa të tjerë.

“Serbia ka qëndrimin e saj dhe nuk lejoj që me Serbinë të flitet me kërcënime”, shtoi Vuçiq.

Ai theksoi se marrëdhëniet me Rusinë nuk ishin temë e bisedës me Zelenskyn, duke vënë në dukje se pjesa më e madhe e bisedës kishte të bënte me integrimet evropiane dhe propozimet më të reja që po shfaqen.

Për Malin e Zi: Nuk ishim ne që njohëm 14 për qind të territorit tuaj, këtë e bëtë ju me Kosovën dhe Metohinë

Lidhur me shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, ai tha se nuk mund ta detyrojë askënd për asgjë, por se është fakt që nga Podgorica çdo ditë vijnë akuza për ndërhyrje në punët e tyre të brendshme, për këtë arsye ai përpiqet t’i shmanget kësaj teme.

“Ju festoni pavarësinë, ne nuk festojmë, as nuk e kemi dashur shpërbërjen e bashkësisë shtetërore. Por ato ankesat për viktimat e presioneve të aspiratave serbomëdha… Nuk ishim ne që njohëm 14 për qind të Malit të Zi, por ju e bëtë këtë me Kosovën dhe Metohinë, dhe atë dy vjet pas atij vendimi ‘magjepsës’ për ndarje… Këtë na e bëtë ju neve, jo ne juve. Ne nuk ju kemi bërë asgjë të keqe”, tha Vuçiq.

Duke kujtuar se në vitin 2020 në Mal të Zi erdhi deri te ndryshimi i pushtetit mbi bazat e patriotizmit serb, ai pyeti nëse sot gjuha serbe është zyrtare dhe nëse trengjyrëshi është bërë simbol si flamur zyrtar.

“Nuk është. E çfarë fituan atëherë serbët? Është mirë që disa janë në pushtet, i përgëzoj për këtë, por çfarë fitoi populli serb? Asgjë, këto janë fakte”, theksoi Vuçiq.

Ai shtoi se ka marrëdhënie shumë të mira me liderin e DNP-së Millan Knezheviq, duke theksuar se ai tregoi se ekzistojnë njerëz për të cilët përkatësia kombëtare dhe idetë për të cilat angazhohen janë më të rëndësishme se kolltuku.

I pyetur nëse marrëdhënia me Jakov Milatoviqin është më e mirë se ajo me Milo Gjukanoviqin, ai u përgjigj:

“Njësoj, nuk bëj dallim”.

Ai rikujtoi se paga në Mal të Zi, kur ai u bë kryeministër i Serbisë, ishte 490 euro, 50 për qind më e lartë se në Serbi, ndërsa sot malazezët nuk kanë paga më të larta.

“Ne po përparojmë më shpejt dhe do të përparojmë më shpejt ekonomikisht. Mua më intereson më së shumti përparimi ekonomik dhe për këtë po shkoj në Kinë. Gjatë verës shumë njerëz do të habiten nga projektet e mëdha me amerikanët me vlerë dhjetëra miliarda dollarë”, paralajmëroi Vuçiq.

Pres një vizitë të jashtëzakonshme në Kinë, kemi rënë dakord për një miliard euro investime

Presidenti i Serbisë theksoi gjithashtu se pret një vizitë të jashtëzakonshme në Kinë dhe shtoi se tashmë është rënë dakord për një miliard euro investime.

“Madje kam mësuar se ekziston mundësia të marr dekoratën më të lartë nga presidenti Xi. Kjo do të ishte një nder i pabesueshëm për mua dhe do të isha presidenti më krenar. Por më të rëndësishme janë rezultatet që u sjellim qytetarëve. Tashmë kemi rënë dakord për një miliard euro investime”, tha Vuçiq.

Ai paralajmëroi se me presidentin Xi do të nënshkruajë dy deklarata të mëdha të përbashkëta, si dhe marrëveshje me kompani.

“Të paktën 33 marrëveshje dhe edhe rreth 30 kontrata dhe dakordime të tjera. Kjo do të thotë zhvillim dhe industrializim i përshpejtuar i Serbisë”, theksoi Vuçiq dhe shtoi se do të bisedohet edhe për prodhimin e çipave në Serbi dhe prodhimin e robotëve.

I pyetur nëse Kina është Rusia e re, përkatësisht mbrojtësi i ri i Serbisë, Vuçiq u përgjigj se Serbia gjithmonë mbështetet te vetja dhe se është një vend ushtarakisht neutral.

“Në Kombet e Bashkuara gjithmonë kemi pasur mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Kina sot është qendra e stabilitetit, nuk zhvillon luftëra apo konflikte, mbështet paqen dhe me hapa të shpejtë po i afrohet pozitës numër një në botë në të gjitha sferat e jetës”, nënvizoi presidenti i Serbisë dhe shtoi se po udhëton për herë të nëntë në Kinë.

Ai përsëriti se, pas kthimit nga Kina, do të shkojë në Tivat në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, por jo sepse e kanë ftuar autoritetet malazeze, por presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

“Ndaj saj ndiej respekt. Ajo ishte e vetmja që dëshironte të vinte edhe në vende më të vogla në Serbi dhe gjithmonë ka treguar respekt ndaj vendit tonë. Po të më kishte ftuar dikush tjetër, nuk do të kisha shkuar. Nuk e di cili do të ishte kuptimi, nuk e di çfarë do të flisja”, theksoi Vuçiq.

Për NIS-in: Shpresoj për zgjidhje, por nuk jam optimist

Sa i përket fatit të Industrisë së Naftës së Serbisë, Vuçiq tha se nuk është optimist lidhur me negociatat për shitjen e pjesës ruse kompanisë hungareze MOL, por se shpreson për një zgjidhje.

“Kemi investuar shumë përpjekje, kemi treguar kujdes për qytetarët, kjo vuajtje ka zgjatur një vit e gjysmë, ndërsa njerëzit nuk e kanë ndier, madje as përmes rritjes së çmimeve. Bëmë gjithçka për t’i ndihmuar qytetarët. Kemi pasur takime të panumërta me MOL-in dhe ende po bisedojmë. A jam optimist? Nuk jam, por shpresoj”, tha Vuçiq.

Ai pret që pala amerikane ta zgjasë mundësinë për arritjen e marrëveshjes, por thekson se duhet nxituar për të gjetur zgjidhje.

“Do ta gjejmë zgjidhjen”, nënvizoi presidenti i Serbisë.

Ai paralajmëroi se në korrik mund të pritet problem në Evropë për mungesë të naftës dhe derivateve të naftës, por se Serbia do të ketë mjaftueshëm sepse po rinovon rezervat.

“Qytetarët nuk duhet të shqetësohen, ne gjithmonë do të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm. Nacionalizimin e kemi shmangur që nga fillimi, sepse nuk jemi as Kominternë dhe as aleancë socialiste, por sillemi seriozisht ndaj partnerëve dhe miqve. Përpiqemi t’i zgjidhim problemet dhe do të gjejmë zgjidhje, kemi disa opsione. Po punojmë edhe me partnerët amerikanë, ndërsa kemi filluar të marrim disa sinjale edhe nga pala ruse. Do të shohim”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se kryeministri i ri hungarez Peter Magyar i kishte thënë në një bisedë para rreth dhjetë ditësh se ata ende janë të interesuar.

Presidenti Vuçiq paralajmëroi gjithashtu se zgjedhjet do të mbahen “në periudhën nga shtatori deri në nëntor”.