Burjani: Vizita e Vadefulit ishte e mirë, nuk ka shpresë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit
Profesori i të drejtës Blerim Burjani u shpreh se për rastin e vizitës së ministrit gjerman të punëve të jashtme Johan Vadeful në Prishtinë në kuadër të turneut të tij në rajon, ishte mirë që ndodhi sepse u dëshmua edhe një herë se dialogu me Sërbinë duhet të ndodhë dhe se erdhi koha sikurse tha, që “dy shtetet të pajtohen në planin politik e ndërkombëtar”.
Burjani për Kosovo onlajn u shpreh se ishte mirë që erdhi Vadeful ndonëse nuk është i sigurt në suksesin e saj si pasojë e situatës në të cilën gjendet Kosova duke ditur se qeveria funksionon në mandatin teknik.
“Është mirë që vizitoi Kosovën që të vendosë në dukje edhe një herë se dialogu me Sërbinë duhet që të ndodhë pasi ikën koha dhe se të dy shtetet të pajtohen në planin politik e ndërkombëtar“, ka thënë Burjani për Kosovo onlajn.
Kur është fjala për Marrëveshjen e Ohrit implementimin e të cilës insistoi sot Vadeful, Burjani tha se nuk mendon se ajo do të realizohet.
Ai është i mendimit se ideja e Bashkësisë së Komunave Sërbe "nuk është më serioze" dhe se dialogu është në qorrsokak.
"Sërbia dhe Kosova nuk janë dakordësuar të implementojnë Marrëveshjen e Ohrit. Në Kosovë nuk do të ketë komuna etnike sepse kjo është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ideja e Bashkësisë së Komunave Sërbe nuk është më serioze dhe mendoj se dialogu është në qorrsokak, nuk ka asnjë shpresë se e gjithë paketa e Marrëveshjes së Ohrit do të implementohet. Kosova është shtet i vogël dhe në kuptimin ligjor, nuk ka mundësi për ndonjë status të veçantë brenda shtetit", ka thënë Burjani.
0 komentet