Osmani: Gjermania aleate e Kosovës; Vadeful: Nevojitet përparim në dialog dhe formimi e AKS-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi në konferencën për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johan Vadeful, se vizita e tij në Kosovë konfirmon fjalët e kancelarit gjerman Friedrich Merz se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi në konferencën për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johan Vadeful, se Gjermania është aleate e Kosovës, ndërsa kreu i diplomacisë gjermane potencoi se është i domosdoshëm përparimi në dialogun me Serbinë, si dhe që Kosova duhet të ndërmarrë hapa në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Osmani theksoi se vizita e Vadeful në Kosovë konfirmon fjalët e kancelarit gjerman Friedrich Merz se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.
"Gjermania është aleate e Kosovës, shumë njerëz me origjinë nga Kosova jetojnë në Gjermani, ata janë një urë lidhëse midis dy vendeve tona", tha Osmani.
Ajo falënderoi ushtarët gjermanë në KFOR për angazhimin e tyre, dhe siç shtoi ajo, Kosova është në rrugën e sigurt drejt BE-së dhe NATO-s.
"Heqja e masave që patën një efekt negativ është me rëndësi të madhe për ne, ne kemi nevojë për mbështetjen e Gjermanisë për këtë. Ne gjithashtu kemi nevojë për mbështetje në rrugën drejt BE-së", tha Osmani.
Ajo shtoi se Gjermania është një partner i shkëlqyer ekonomik i Kosovës, si dhe se Kosova ka potencial të madh.
"Ne besojmë në Gjermani si një partner të besueshëm dhe strategjik dhe jemi të vendosur të ndërtojmë një shoqëri edhe më të mirë", tha ajo.
Vadeful: Nevojitet përparim në dialog dhe themelimi i AKS-së
Vadeful theksoi se Gjermania e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar se tani është e rëndësishme të arrihet përparim në këtë proces, si dhe që Kosova të ndërmarrë masa për formimin e AKS-së.
“Gjermania e mbështet dialogun, por ky proces kohët e fundit ka stagnuar dhe tani është e rëndësishme të ketë lëvizje përpara. Për Kosovën është me rëndësi të ndërmarrë masa për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, tha ai.
Vadeful theksoi se partneriteti midis Kosovës dhe Gjermanisë është i ngushtë dhe kujtoi se ky vend e njohu pavarësinë e Kosovës vetëm pak ditë pas shpalljes së pavarësisë.
"Tema kryesore është siguria dhe e ardhmja. Është mirë të dimë se Kosova është krah për krah me ne. Ne duhet t'i tregojmë Rusisë se qëndrime të tilla dhe dezinformata nuk kanë vend në Evropë. Që nga lufta, Kosova ka qenë një histori e vërtetë suksesi. Për të vazhduar këtë sukses, Kosova ka nevojë për një qeveri funksionale, votuesit e kanë pritur atë për 8 muaj. Kosova ka forcën dhe vullnetin për të punuar në zbatimin e reformave, dhe Gjermania është e gatshme t'ju mbështesë me të gjitha fuqitë e saj", tha ai.
Siç shtoi ai, KFOR-i është misioni më i rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë në rajon.
"Është e rëndësishme që situata të mbetet e qetë, në mënyrë që të mos jetë si në vitin 2023", tha ministry gjerman.
Procesi i Berlinit i rëndësishëm për rajonin
Ai tha se procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm për rajonin.
"Për ne është e qartë, të gjashtë vendet mund të jenë pjesë e BE-së, përfshirë edhe Kosovën. Ne mund të arrijmë shpejt përparim, njerëzit këtu janë të etur për Evropën", tha ai.
Ai theksoi se pasi vizitoi Ballkanin Perëndimor, e kuptoi se Gjermania ka një rëndësi të madhe për vendet e rajonit.
Osmani, në pyetjen e gazetarëve lidhur me konsultimet me partitë politike në Kosovë, tha se nuk mund ta parashikojë situatën në këtë drejtim.
"Nuk mund ta paragjykoj se çfarë do të ndodhë nesër në parlament, por nëse nuk ia dalim, duhet të kalojmë te çështjet e buxhetit në mënyrë që institucionet tona të mund të funksionojnë siç duhet. Nuk duam që Kosova të jetë në krizë", tha Osmani.
Vadeful mbërriti në Prishtinë pas vizitës në Beograd, ku bisedoi me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, nga ku tha se në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ka një përparim kyç në dialogun me Kosovën.
Vadeful ka vizituar tashmë Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë si pjesë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, dhe do ta përfundojë vizitën e tij nesër në Maqedoninë e Veriut.
komentet