Daçiq: Kurti është kërcënimi më i madh për paqen në Kosovë

Ivica Dačić
Burim: Kosovo Online

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi sot para panelit "Ballkani Perëndimor: Gjithçka ndryshon, por gjithçka mbetet e njëjtë?" në Forumin Strategjik të Bledit, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënimi më i madh për paqen në Kosovë.

Duke komentuar deklaratën e Kurtit se Prishtina muajt e fundit ka punuar në deeskalimin e konfliktit, Daçiq tha për Tanjug se nuk e di se si po punojnë, pasi eskalimi po bëhet gjithnjë e më i madh.

"Nuk e di se si punojnë kur eskalimi po bëhet gjithnjë e më i madh. Ne kemi thënë 100 herë deri më tani se kërcënimi më i madh për paqen është Kurti", tha Daçiq.

Ai theksoi se kanë kaluar dhjetë vjet që kur nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit me Ketrin Eshton dhe Hashim Thaçin dhe se në Prishtinë “nuk e panë të arsyeshme” të zbatojnë asgjë nga ajo marrëveshje për të drejtat e popullit serb në Kosovë, siç është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Çdo gjë që kanë bërë, kanë punuar në përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha shefi i diplomacisë serbe.

Daçiq përkujtoi se kur është biseduar për Marrëveshjen e Brukselit është biseduar për tentativën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa u ndërhyrë në çështjen e statusit, përkatësisht duke paragjykuar se si do të zgjidhet politikisht statusi i Kosovës dhe Metohisë.

“E gjithë kjo për të (Kurtin) është e papranueshme, gjegjësisht nuk dëshiron të zgjidhet çështja e statusit, sepse nëse nuk mund të zgjidhet me negociata, do të zgjidhet me armë dhe ky është koncepti i tyre”, tha Daçiq.

Ai përfundoi se, nëse Bashkimi Evropian nuk e sheh, ai nuk e di se çfarë tjetër mund të bëjë Serbia për të ndihmuar, përveç apelit që ta ndalojë Kurtin derisa është ende e mundur.

Ai shtoi se tema kryesore e sotme në mesin e pjesëmarrësve të Forumit Strategjik të Bledit është nëse Charles Michel ka shprehur mendimin e tij apo ka shprehur qëndrimin e BE-së se anëtarët e rinj mund të priten deri në vitin 2030.

“Nuk di shumë për këtë, nuk do të ishte hera e parë që dikush nuk pajtohej me të, por nuk do të ishte as hera e parë që dikush kishte iniciativa pozitive. Në çdo rast, ne e mirëpresim dhe duam të besojmë se do të ndodhë”, tha Daçiq.

Daçiq tha se takimi në Bled është një mundësi për të takuar çdo vit përfaqësues të institucioneve të ndryshme, shtete dhe njerëz në pozita të ndryshme, por se takimet bilaterale janë gjithashtu shumë të rëndësishme.

Në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, Daçiq ka biseduar me sekretaren shtetërore franceze të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Lorens Ban, e cila edhe me këtë rast shprehu mbështetjen për integrimin evropian të Serbisë, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, në takim u diskutua për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe për dinamikën e jashtëzakonshme të dialogut politik.

Nga të dyja palët u shpreh vullneti për të ruajtur nivelin e arritur të marrëdhënieve të përgjithshme dhe për të vazhduar forcimin e tyre.

“U theksua veçanërisht partneriteti strategjik ndërmjet Serbisë dhe Francës dhe rëndësia e tij për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Pala franceze edhe këtë herë shprehu mbështetjen e saj për integrimin evropian të Serbisë, si dhe për procesin e dialogut. ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime edhe për të gjitha çështjet tjera dhe temat aktuale të politikës së jashtme me interes të përbashkët.