Daçiq me Piçin për situatën në Kosovë dhe situatën në rajon
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka biseduar sot me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stjuart Piç, për situatën në Kosovë dhe situatën në rajon.
Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, në bisedë u vlerësua reciprokisht se marrëdhëniet dypalëshe të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut dhe Republikës së Serbisë janë të mira, duke iu referuar veçanërisht traditës së tyre të gjatë dhe u tha se ka hapësirë shtesë për përmirësimin e bashkëpunimit.
Daçiq dhe Piç kanë shkëmbyer mendime për situatën në Kosovë dhe situatën në rajon.
“Bashkëbiseduesi britanik tha se vendi i tij i ofron mbështetje të plotë misionit të KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
U konstatua se organizatat ndërkombëtare kanë një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në situata krize, ndër të cilat veçohen aktivitetet e OKB-së për nga shtrirja e punës së tyre dhe ndikimi dhe rëndësia globale.
U diskutua edhe për takimin e radhës ministror të OSBE-së në Shkup, më 30 nëntor dhe 1 dhjetor, duke theksuar rëndësinë e rolit të Republikës së Serbisë në këtë organizatë.
0 komentet