Diplomati gjerman Dirk Schubel zëvendëson Aivo Oravin në Kosovë

Dirk Šibel
Burim: Facebook

Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi sot diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësues të Ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Sipas njoftimit të Këshillit, Schubel do ta marrë detyrën më 1 shtator, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar Aivo Oravin, ish-shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së është i përqendruar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, përmes mbështetjes së perspektivës së saj evropiane me komunikim publik të synuar dhe aktivitete në terren.

Përgjegjësitë kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pakicave, si dhe përmirësimin e koordinimit të përgjithshëm politik të Bashkimit Evropian për të siguruar një prani të harmonizuar dhe të dukshme.

Mandati gjithashtu përfshin ofrimin e udhëzimeve politike në nivel lokal për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me synim avancimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përveç kësaj, Këshilli i BE-së sot ia zgjati mandatin edhe për dy vjet të tjera Përfaqësuesit Special të BE-së për Bosnjë dhe Hercegovinën, Luigi Soreca. Ai do të qëndrojë në këtë detyrë deri më 31 gusht 2028, për të siguruar vazhdimësinë e angazhimit diplomatik të Bashkimit Evropian dhe efektivitetin e veprimit të tij të jashtëm në këtë vend, thuhet në njoftim.