Elek: Kryetarët e rinj të komunave do të kërkojnë qasje në të gjithë dokumentacionin

Zlatan Elek
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, ka paralajmëruar se kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe, pas marrjes së detyrës, do të kërkojnë qasje në dokumentacionin e plotë.

Në pyetjen e Kosovo online lidhur me informacionet se kryetarët ende aktualë të komunave dhe administrata komunale po i largojnë dokumentet, dhe se çfarë do të ndërmarrë për këtë çështje, Elek tha se, nëse dikush ka punuar ligjërisht, nuk ka arsye të fshehë dokumentacionin.

“Ka mjaftuar me vërejtjet ndaj Listës Serbe, ku kryetarët e saj janë quajtur hajna nga Prishtina, ndërsa puna e tyre gjatë tre viteve të fundit nuk është vlerësuar negativisht dhe nuk ka pasur asgjë të diskutueshme. Kryetarët serbë nuk kanë fshehur dokumente, nuk i kanë çuar në Serbi apo në Prishtinë. Nëse dikush ka punuar ligjërisht, nuk ka arsye të fshehë dokumentet”, nënvizoi Elek.

Ai theksoi se kryetarët e rinj të komunave do t’i shfrytëzojnë kompetencat e tyre dhe pas marrjes së detyrës, të premten, do të kërkojnë qasje në të gjitha dokumentet.