Filllipoviq: Lutvi Shaqirit u caktua paraburgimi për 30 ditë për krimin e supozuar të luftës në vitin 1998 në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Lutvi Shaqirin nga fshati Krstaç i komunës së Dragashit, për shkak të një krimi të dyshuar lufte në Kosovë në vitin 1998, konfirmoi avokatja e tij Jovana Fillipoviq për Kosovo online.
Lutviu u ndalua në vendkalimin Merdare më 14 tetor kur tentoi të hynte në Kosovë dhe sipas Fillipoviqit, Prokuroria Speciale e akuzon atë për kryerjen e një krimi lufte kundër popullatës civile në korrik 1998, duke ngacmuar persona të caktuar në stacionin policor në Rahovec dhe se me atë rast një person ka vdekur.
“Dje është mbajtur seanca para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për caktimin e paraburgimit. Mirëpo dje gjykata nuk ka marrë vendim për masën e arrestit por ka zgjatur masën e ndalimit policor edhe për 48 orë. Sot na është dorëzuar vendimi për masën e paraburgimit prej 30 ditësh dhe ne do të bëjmë ankesë”, tha Fillipoviq.
Është e padiskutueshme, thotë ajo, se Lutviu ka punuar si polic gjatë vitit 1998, por saktëson se ka punuar në Prizren, e jo në Rahovec siç pretendon prokuroria dhe këtë do ta dëshmojë gjatë procedurës.
“Ky është vetëm një arrestim në seri pas më shumë se 20 vitesh, edhe pse Lutvi Shaqiri ka jetuar në Kosovë, ai ka vendbanim në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme apo raportime për shkak të ndonjë vepre penale”, ka përmbylluar Fillipoviq.
0 komentet