Fon Kramon u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të tërheqin forcat speciale nga veriu
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Fon Kramon, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të tërheqin njësitë speciale të policisë nga veriu dhe të ulen në tryezën e bisedimeve, transmeton Koha.
Fon Kramon tha se mënyra e vetme për zgjidhjen e situatës është qasja konstruktive ndaj dialogut dhe vlerësoi se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me “manovrat në veri”.
"A është kjo forma e qeverisjes 'të mirë' që duam? Në vend të kësaj, ne duhet të kemi më shumë vullnet për të ndërtuar besim. Dialogu brenda Kosovës është e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë", tha Fon Kramon.
Ajo u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të konsiderojnë marrjen e masave për ndërtimin e besimit.
"Për shembull, tërheqja e forcave speciale të policisë nga veriu dhe për t'u ulur në tryezën e bisedimeve. Palët e përfshira duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog për të zgjidhur çështjet e hapura", tha Fon Kramon në një konferencë për shtyp në Prishtinë.
E pyetur për sjelljen e saj ndaj policisë së Kosovës në veri, ku i ka pyetur të dielën “çfarë dreqin po bëni”, ajo tha se “se vetëm ka pyetur a mendojnë se është vërtetë e nevojshme të qëndrojnë aty” dhe shtoi se në Gjermani, në rast proteste bënte të njëjtën pyetje.
Fon Kramon ka përgëzuar qytetarët për liberalizimin e vizave, si dhe Qeverinë për punën që ka bërë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
"Pavarësisht çka ndodh këtu (në Kosovë), ne do t’iu bëjmë pjesë të Këshillit të Evropës. Në çdo gjë që ndodh, Kosova ka mbështetjen tonë, por duhet t’i bëni ato gjëra me mençuri", tha ajo.
komentet