Gjuriq: Heqja e fusnotës shkakton shqetësim dhe vë në pikëpyetje marrëveshjet e arritura përmes dialogut

kosovo fusnota
Burim: Radio Kim

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, theksoi se miratimi i opinionit të Komitetit të Rajoneve të Bashkimit Evropian për Paketën e Zgjerimit 2025 pa shenjën “Kosovo*”, përkatësisht pa fusnotë, shkakton shqetësim serioz dhe nuk është në përputhje me kornizën neutrale ndaj statusit që është baza e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së.

Gjuriq rikujtoi se shenja “Kosovo*” është vendosur me Marrëveshjen për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të vitit 2012, me ndërmjetësimin e BE-së, dhe se ajo përfaqëson një formulim të balancuar me kujdes që i referohet në mënyrë eksplicite Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Shpërfillja e kësaj reference të dakorduar vë në pikëpyetje marrëveshjet e arritura përmes dialogut dhe rrezikon të minojë besimin e brishtë mbi të cilin mbështetet ky proces”, paralajmëroi Gjuriq në rrjetin social “X”.

Ai theksoi gjithashtu se respektimi i vazhdueshëm i modaliteteve të dakorduara më parë është i domosdoshëm për të mbrojtur kredibilitetin e dialogut dhe për të ruajtur besimin ndërmjet palëve.

“Prandaj Serbia do të vazhdojë të insistojë në zbatimin konsekuent të qasjes neutrale ndaj statusit në të gjitha institucionet e BE-së dhe në çdo nivel angazhimi”, porositi shefi i diplomacisë serbe.

Ndryshe, Asociacioni i Komunave të Kosovës njoftoi dje se Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian i ka informuar se në opinionin më të fundit për Paketën e Zgjerimit 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë “ka vendosur të ndërpresë përdorimin e shenjës ‘Kosovo*’, përkatësisht ‘me yll’ në dokumente dhe komunikata dhe të përdorë ‘Kosovo’”. Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu bëri thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.