Gjuriq: Kujtova faktin se AKS nuk është formuar, ky obligim është nënshkruar këtu në Bruksel

Đurić
Burim: Kosovo Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, pas takimit joformal të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, me ministrat e Ballkanit Perëndimor, theksoi se Serbia dëshiron hapjen e hapësirës Shengen për të gjithë rajonin sa më shpejt që të jetë e mundur. Sa i përket dialogut me Prishtinën, Gjuriq theksoi se gjatë takimit kujtoi faktin se Asociacioni i Komunave Serbe ende nuk është formuar.

Gjuriq theksoi se mesazhi kryesor i Serbisë në takim ishte se Evropa nuk ka kohë për të humbur.

„Duhet ta përshpejtojmë procesin e integrimit dhe të përshtatemi me rrethanat globale që janë, me të vërtetë, të paprecedenta“, tha Gjuriq.

Siç shtoi ai, ndryshimet e shpejta kërkojnë që BE-ja t’i pranojë pa vonesë në radhët e saj shtetet që ende nuk janë anëtare, por që ndodhen në kontinentin e saj.

„Ndër këto shtete, për nga karakteristikat ekonomike, demografike dhe gjeopolitike, veçohet Serbia, si vendi që ka shënuar rritjen më të shpejtë ekonomike gjatë dekadës së fundit“, shtoi Gjuriq.

Përveç pamjes më të gjerë, sipas Gjuriqit, sot në Bruksel u bisedua edhe për detaje specifike dhe çështje konkrete, ndërsa pati edhe, siç tha ai, detaje jo të lehta lidhur me situatën në Bosnje e Hercegovinë, ku, shtoi ai, u përpoq të mbrojë interesat serbe.

„Serbia gjithmonë ka qenë në anën e stabilitetit, Serbia gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur në anën e Marrëveshjes së Dejtonit, por Serbia gjithmonë mban qëndrimin më të fortë se popujt në Bosnje e Hercegovinë duhet të jenë ata që përcaktojnë fatin e këtij shteti, e jo kushdo nga jashtë. Natyrisht, ndihma e jashtme nga të gjithë ne është gjithmonë e mirëpritur, por puna kryesore duhet të kryhet mes aktorëve politikë në BeH, dhe Serbia ka treguar sa kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve“, tha ai.

Siç theksoi ai, pati bisedime edhe për çështje të tjera në rajon, si dhe për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

„Ia kujtova faktin se AKS nuk është formuar për më shumë se një dekadë, ndërkohë që kjo ishte një obligim i nënshkruar dhe i dakorduar këtu. Unë vetë kam qenë dëshmitar i kësaj më 19 prill 2013. Përfaqësuesit e Prishtinës u përpoqën ta fajësojnë Serbinë për probleme të ndryshme rajonale dhe ta paraqesin si burim të destabilitetit në rajon, megjithatë vëzhgimi i përgjithshëm është se sot Evropa, e përballur me një sërë sfidash, po punon për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit“, shtoi Gjuriq.

Në këtë kuptim, theksoi Gjuriq, mesazhi i Serbisë është se dëshiron të shohë hapjen e hapësirës Shengen për të gjithë rajonin sa më shpejt që të jetë e mundur.

„Është zhgënjyese që kemi kufij të fortë çdo 150 deri në 200 kilometra, të cilët ndërpresin qarkullimin jetësor të njerëzve, familjeve, por edhe ekonomive, dhe nuk ka asnjë arsye që Evropa të mos mundësojë që tash këtë verë të zhbllokohet potenciali i plotë i përfshirjes së rajonit tonë në Shengen, sepse kjo do të sillte drejtpërdrejt 50 miliardë euro aktivitet të ri ekonomik, ndërsa nuk do ta zvogëlonte sigurinë e BE-së dhe të kontinentit, përkundrazi do të ulte tensionet në rajonin tonë dhe do të ishte shumë e dobishme, ashtu siç kemi qenë edhe për përfshirjen e shpejtë të rajonit tonë në hapësirën e përbashkët ekonomike“, tha Gjuriq.

Gjuriq shtoi se disa nga ministrat reaguan pozitivisht dhe mbështetën këto qëndrime.

„Toni i përgjithshëm i diskutimit ishte i sjellshëm dhe me respekt ndaj vendit tonë dhe shpresoj që procesi ynë i integrimeve evropiane do të vazhdojë të përparojë, pavarësisht të gjitha presioneve ideologjike, e ndonjëherë edhe politikisht të motivuara, ndaj të cilave vendi ynë shpesh ekspozohet nga disa qendra të caktuara“, tha ai.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Marta Kos për mjetet nga Plani i Rritjes të dedikuara për Serbinë, Gjuriq tha se i duket se në komunikimin publik rreth përdorimit të fondeve evropiane ekziston pak, siç u shpreh ai, lojë politike me qëllim ushtrimin e një presioni ose ndikimi të caktuar politik mbi marrëdhëniet e brendshme në Serbi.

„Fakt është se nuk ekziston asnjë vendim i Bashkimit Evropian me të cilin Serbisë do t’i mohohej mbështetja ekonomike apo zhvillimore nga Bashkimi Evropian. Po ashtu është fakt se Serbia po punon shumë dhe me përkushtim për të zbatuar reformat dhe të gjithë hapat e tjerë organizativë, teknikë dhe politikë që janë të nevojshëm që të mbështetemi plotësisht. Kur kjo nuk ndodh, shumë shpesh është rezultat i vlerësimeve politike, por të jemi shumë të qartë, Serbia me veprimet e saj nuk e ka merituar të trajtohet si dele e zezë. Sigurisht që është vendi që prin në miratimin e hapave të ndryshëm ligjorë, organizativë dhe të tjerë në planin e integrimeve evropiane. Kemi specifikat tona të brendshme, kemi situatën tonë të brendshme politike si çdo vend tjetër, por të pretendohet se Serbia nuk merr ndihmë nga fondet zhvillimore të Bashkimit Evropian sepse është marrë ndonjë vendim, thjesht është manipulim politik dhe nuk i përgjigjet së vërtetës“, përfundoi Gjuriq.

Ai konsideron se pranimi i propozimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet menjëherë dhe pa vonesa në BE, do të ishte hapi më i mirë i mundshëm si për Evropën ashtu edhe për Ballkanin.

„Kjo do të ulte tensionet dhe do të zhbllokonte potencialin e plotë. Përmenda se nga ai moment, në të njëjtin vit kur rajoni do të pranohej në Shengen, do të zhbllokoheshin 50 miliardë euro vlerë e re ekonomike. Vetëm imagjinoni sa më të ulëta do të ishin tensionet në rajonin tonë nëse të gjithë serbët, të gjithë shqiptarët, të gjithë boshnjakët do të mund të lëviznin plotësisht lirshëm, pa kufij, duke respektuar sovranitetin, shtetësinë dhe ligjet, por pa pengesa burokratike. Kufijtë e hapësirës Shengen do të zvogëloheshin për 20 për qind. Ndërsa do të duhej të mbikëqyreshin shtesë vetëm 19 pika hyrëse ndërkombëtare, pra 19 aeroporte dhe porte. Diçka që do të zvogëlonte shpenzimet e BE-së për mirëmbajtjen e të gjitha atyre shërbimeve kufitare dhe gjithçka tjetër, e njëkohësisht nuk do ta rriste aspak fluksin e migrantëve. Sepse në Evropë praktikisht nuk është e mundur të hyhet përmes Ballkanit pa kaluar më parë pranë ose përmes vendeve të tjera evropiane. Pra, duhet menduar seriozisht, duhet shtypur pedali i gazit për afrimin e rajonit tonë me Evropën dhe mendoj se ajo që ka bërë presidenti Vuçiq, si individualisht ashtu edhe në bashkëpunim me disa liderë të tjerë të rajonit, është një impuls serioz dhe një dorë e shtrirë që shpresoj se shtetet anëtare do ta pranojnë sa më shpejt“, porositi Gjuriq.