Kallas: Zgjedhjet në Kosovë po e shtyjnë dialogun në nivelin më të lartë
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, theksoi se tema kryesore e takimit të sotëm të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel do të jetë zbatimi i reformave dhe kërcënimet hibride. Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kallas tha se po punon veçmas me udhëheqësit për të vazhduar zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
„Do të flasim për zgjerimin dhe çfarë mund të bëjmë që ata të vazhdojnë me zbatimin e reformave. Do të flasim gjithashtu për bashkëpunimin lidhur me kërcënimet hibride që kërcënojnë Ballkanin Perëndimor dhe si t’u rezistohet atyre. Kemi pasur përvoja dhe praktika të mira nga Moldavia, ndërsa tani po punojmë me Armeninë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar të njëjtën gjë, sepse edhe ato po shohin sulme ndaj demokracisë së tyre“, tha Kallas.
Ajo shtoi se një nga temat do të jetë edhe siguria dhe mbrojtja, duke përmendur si shembull bashkëpunimin me Malin e Zi.
„Presim prej tyre që të harmonizohen me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë dhe të zbatojnë reformat“, theksoi Kallas.
Ajo shtoi gjithashtu se ishte dakorduar një takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, në kuadër të dialogut politik mes Beogradit dhe Prishtinës në nivelin më të lartë, por se ato plane u shtynë për shkak të zgjedhjeve të reja në Kosovë.
„Kemi planifikuar dialogun politik mes Beogradit dhe Prishtinës në nivelin më të lartë. Të dyja palët u pajtuan me këtë, si udhëheqësit e Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Por tani kemi sërish zgjedhje në Kosovë, gjë që e shtyn këtë proces. Megjithatë, po punoj veçmas me të dy liderët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë dakorduar“, porositi Kallas.
komentet