Gjuriq me shefin e UNMIK-ut për pozitën e popullit serb në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, bisedoi sot me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefin e UNMIK-ut, Peter Due, për situatën aktuale të sigurisë dhe politike në Kosovë, si dhe për pozitën e popullit serb.
Gjuriq theksoi se Republika e Serbisë i kushton rëndësi të veçantë veprimtarisë së UNMIK-ut dhe nënvizoi se për Serbinë është shumë e rëndësishme ruajtja e vazhdimësisë dhe dinamikës së mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për UNMIK-un në format të hapur, në mënyrë që opinioni më i gjerë ndërkombëtar të informohet në mënyrë objektive për situatën e ndjeshme të sigurisë dhe për pozitën e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera joshqiptare në Kosovë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Sipas tij, Serbia pret që UNMIK-u, përveç zbatimit efektiv të mandatit të tij në terren, në raportin e ardhshëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të theksojë në mënyrë objektive dhe të bazuar në fakte pozitën alarmante të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë.
“Gjuriq theksoi se me zgjidhjen e arritur lidhur me zbatimin e Ligjit për të huajt në trekëndëshin Bashkimi Evropian – Beograd – Prishtinë është shmangur skenari më i keq, duke shtuar se një zgjidhje e tillë ishte e pritshme. Siç u shpreh ai, me këtë zgjidhje janë ruajtur institucionet e shëndetësisë dhe arsimit, të cilat përbëjnë shtyllën e mbijetesës së popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe themelin e ardhshëm të Asociacionit të komunave serbe”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, ai theksoi shembuj të shumtë të dhunës institucionale, si dhe veprime të njëanshme të vazhdueshme dhe “gjithnjë e më të shpeshta të institucioneve të përkohshme në Prishtinë të drejtuara kundër serbëve”.
“Gjuriq përfundoi se prania e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Metohi është jashtëzakonisht e rëndësishme për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në krahinë dhe theksoi se Beogradi do të vazhdojë t’i ofrojë UNMIK-ut çdo formë mbështetjeje që mund të kontribuojë në përmirësimin e situatës së përgjithshme në Kosovë dhe Metohi”, përfundon njoftimi.
0 komentet