Gjuriq me Sinirlioglun: Presim që OSBE të vazhdojë të raportojë për pozitën e serbëve në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Marko Gjuriq, zhvilloi një bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Feridun Sinirlioglu, lidhur me situatën aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në pozitën e serbëve dhe rolin e kësaj misioni në terren.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, gjatë bisedës u shqyrtua edhe buxheti i OSBE-së, i cili u miratua sot, si dhe rëndësia e sigurimit të burimeve të përshtatshme për funksionimin e pandërprerë të misioneve, përfshirë edhe Misionin në Kosovë.
“Ministri Gjuriq theksoi se Beogradi pret që OSBE të vazhdojë të ndjekë, dokumentojë dhe raportojë në mënyrë të pandërprerë për pozitën dhe respektimin e të drejtave kolektive politike dhe njerëzore të serbëve në Kosovë dhe Metohi, duke vënë në pah sfidat e shumta me të cilat përballet çdo ditë komuniteti serb”, thuhet në njoftim.
Shtohet se Gjuriq theksoi posaçërisht rëndësinë e funksioneve kyçe të OSBE-së në terren dhe vlerësoi se veprimi i qëndrueshëm dhe i paanshëm i këtij misioni është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit dhe ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve.
“Bashkëbiseduesit u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet bashkëpunimi i ngushtë dhe shkëmbimi i informacionit me qëllim ruajtjen e stabilitetit në terren”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
0 komentet