Gogiq: Pyetja është në emër të kujt Fon der Lajen i bëri thirrje Serbisë ta njohë de facto Kosovën
Politologu Ognjen Gogiq ka deklaruar për Kosovo online se është e diskutueshme në emër të kujt foli presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen kur i paraqiti kërkesën Serbisë për njohjen de facto të Kosovës, nëse dihet se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ursula fon der Lajen është presidentja e Komisionit Evropian, por ajo është edhe politikane nga Gjermania dhe Gjermania ka politikën e saj në lidhje me Kosovën. Gjithashtu, ajo vjen nga partia CDU, Unioni Demokristian, i cili në fakt formuloi këtë ide të njohjes de facto dhe një marrëveshje normalizimi që në fakt do të thotë njohje de facto. Pra, pyetja është se në çfarë cilësie foli ajo dhe nëse ajo mund të ketë tejkaluar kompetencat që ka si presidentja e Komisionit Evropian”, thotë Gogiq.
Ai beson se Serbia ka të drejtë ta bëjë këtë pyetje.
“Serbia mund ta bëjë këtë pyetje: a ka shkuar përtej disa kornizave që i janë dhënë. Por duhet pasur parasysh se në shkurt Këshilli Evropian e pranoi propozimin franko-gjerman si propozim evropian. Pra, Këshilli Evropian në të cilin të gjitha vendet e BE-së dhe ato që e njohin dhe ato që nuk e njohin Kosovën e pranuan planin franko-gjerman si propozim evropian për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, thotë Gogiq.
Bashkëbiseduesi ynë shpjegon se duhet interpretuar në dy mënyra.
“Nga njëra anë, është fakt që vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën nuk do të protestonin nëse Serbia vendos të ndryshojë politikën e saj. Spanja, Greqia apo Rumania nuk do ta pengonin Serbinë nëse vendos të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës dhe nëse e njeh de facto pavarësinë. Por pyetja është nëse do ta pranonin si kusht për Serbinë. Ata e pranuan atë propozim si model, si mundësi, por nuk jam i sigurt se ato vende do të qëndronin pas këtij propozimi nëse do t'i vihej kusht Serbisë për të vazhduar integrimin, dhe jo vetëm ato vende që nuk e njohin, por edhe Hungaria, madje edhe vende të tjera nëse njohja do të bëhej kusht, sepse në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të kushtëzohet një shtet që të njohë një shtet tjetër. Është e drejtë sovrane e çdo shteti dhe do të ishte shumë e diskutueshme dhe mendoj se do të shkaktonte përçarje brenda BE-së dhe mes atyre që e njohin Kosovën nëse vërtet do të ishte kusht”, thotë Gogiq.
Ai beson se propozimi franko-gjerman u pranua më shumë si mundësi, ndoshta edhe apel, sesa si kusht zyrtar.
“Nuk mund të formulohet kështu. Është e vërtetë që në dokumentet e BE-së Kosova ende përmendet me yll sepse statusi i saj nuk paragjykohet, sepse BE nuk mund ta njohë statusin e Kosovës, as të deklarojë nëse Kosova është shtet apo jo. Mirëpo, nëse Serbia do ta njihte de facto Kosovën, atëherë ndoshta do ta bënin edhe vendet e tjera që nuk e njohin Kosovën, dhe pastaj, si rrjedhim, BE mund ta ndryshojë atë pozicion nëse do të kishte një qëndrim të unifikuar për këtë çështje. Prandaj ishte e rëndësishme që presidenti i Serbisë të dërgonte një mesazh se asgjë për të cilën është rënë dakord nuk nënkupton se Serbia de facto e njeh Kosovën. Kjo është arsyeja pse këto vende nuk kanë ndryshuar pozicionin e tyre deri më tani. Prandaj, pozicioni është shumë i qartë se nuk ka njohje de facto të Kosovës nga Serbia dhe për këtë arsye këto shtete të tjera që nuk e njohin nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre”, thotë Gogiq.
Siç shton ai, ideja fillestare e propozimit franko-gjerman, gjegjësisht marrëveshjes Bruksel-Ohër, ishte që të përdoret si mekanizëm për lobimin e atyre vendeve që nuk e njohin Kosovën për ta njohur atë dhe nëse Serbia do ta pranonte atë marrëveshje, që ata të ndryshojnë qëndrimin e tyre, të njohin Kosovën dhe që Kosova përfundimisht të anëtarësohet në NATO.
"Mendoj se rreziku është eliminuar, nëse do të kishte ndodhur, do të kishte ndodhur tashmë në mars. Tani i gjithë propozimi evropian e ka humbur rëndësinë e tij, kështu që nuk priten njohje të reja", përfundon Gogiq.
0 komentet