Hill për sulmin në kanalin Ibër-Lepenac: Nuk shohim asnjë provë që të çon në Beograd
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill tha se çështja e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë është një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut, si dhe se çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është vendimtare, transmeton RTS.
Hill tha se është fakt se Serbia dhe SHBA-të kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën, por se nuk duhet të lejojnë që ky fakt t'i pengojë në çështje të tjera.
“Duhet të biem dakord që të nuk pajtohemi për disa gjëra. Mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë është vazhdimi i bashkëpunimit ekonomik. Ju jeni tashmë një vend lider në investimet në teknologji. Ne punësojmë shumë të rinj serbë dhe Serbia është partneri ynë kryesor për sa i përket tregtisë në rajon dhe kjo është shumë e rëndësishme, por marrëdhëniet nuk mund të bazohen vetëm në ekonomi, duhet të bazohet edhe në mirëkuptim politik dhe le të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku", tha Hill.
Duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Hill tha se SHBA-të janë të kënaqura që Serbia e mbështet procesin e dialogut.
“Është shumë e vështirë, por duhet të them se Serbia po vjen e përgatitur në këto bisedime. Ndonjëherë nuk arrihet përparim në këto bisedime, por nuk mendoj se dikush fajëson Serbinë për faktin se procesi nuk çon në një mirëkuptim më të mirë. Çështja e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë e konsideroj si një nga shtyllat qendrore të procesit të dialogut”, tha Hill.
Ai theksoi se çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është absolutisht thelbësore dhe se ajo duhet të themelohet.
“Ne e kemi mbështetur që kur është rënë dakord për herë të parë rreth 12 vjet më parë dhe duhet të zbatohet. Edhe pse njerëzit e kanë dëgjuar një mijë herë dhe janë të frustruar nga fakti që nuk është zbatuar, kjo nuk do të thotë se nuk duhet folur për të. Mendoj se duhet të jemi shumë të përqendruar që kjo të filloj”, theksoi Hill dhe shtoi.
“Një nga elementët më të rëndësishëm është që SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bashkëpunojnë. Bashkimi Evropian e udhëheq këtë, sepse në fund të fundit Serbia është në Evropë. Kjo duhet kuptuar, por ne nuk duam një situatë ku dikush të mendojë se ka një dallim mes BE-së dhe SHBA. Ne duhet të jemi shumë afër BE-së dhe mendoj se po e bëjmë mirë këtu në Serbi”.
Ai shtoi se normalizimi i marrëdhënieve duhet parë në afat të gjatë, si dhe se duhet të ketë shumë më pak incidente.
“Serbët duhet të kuptojnë se cila është e ardhmja e tyre në Kosovë dhe ne e mbështesim atë shumë, kështu që ka mbetur shumë punë. Mendoj se kemi bërë një përparim, por është e qartë se nuk mjafton dhe kjo është një fushë ku ne duhet të punojmë shumë më tepër”, tha Hill.
Bashkimi Evropian së fundi vendosi një lloj sanksioni ndaj Prishtinës për shkak të sjelljes së saj, ndërsa sanksionet mungonin nga Uashingtoni. Christopher Hill shpjegoi se ka disa dallime në taktika dhe procesi i vendimmarrjes është i ndryshëm.
“Janë 27 vende në Bashkimin Evropian që duhet të bien dakord. Ne nuk e kemi atë situatë dhe është e qartë se do të ketë disa dallime taktike, por po flasim për qëllimin e përgjithshëm për të arritur një lloj normalizimi, në mënyrë që ai pushon së qeni pikë krize dhe mendoj se normalizimi po fillon me të kuptuarit se Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë duhet të dijë se cila është e ardhmja e tyre dhe se ata ndihen mirë aty ku jetojnë”, tha Hill.
Duke folur për sulmin në kanalin Ibër-Lepenac, Hill tha se mendon se ka dëshirë nga të gjitha anët që të zbulohet e vërteta se kush e ka bërë atë.
"Ne sigurisht nuk shohim prova që po të çojn në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë dhe mendoj se është mirë që ne po i ofrojmë mbështetje atij hetimi përmes FBI-së dhe mendoj se është e rëndësishme. Por flet për faktin se ka mungesë besimi dhe tendencë për të fajësuar njëri-tjetrin”, tha Hill.
Ai tha se nuk ka njoftime se do të vendosen sanksione ndaj kompanisë NIS. Ai theksoi se vendimi përfundimtar për këtë çështje nuk do të ndikojë në ekonominë serbe.
“Mund t'ju them se që kur rusët blenë NIS, ka pasur shumë shqetësime për të, sepse është e vetmja rafineri në Serbi dhe meqenëse është në pronësi shumicë nga rusët, ka shqetësuar shumë njerëz për vite me radhë. Ky shqetësim shtohet nga fakti se Rusia vazhdon të zhvillojë një luftë barbare kundër Ukrainës. Nuk ka asnjë fjalë tjetër për ta përshkruar atë përveç barbarisë në kuptimin që ky është shekulli i 21-të dhe ai ende po vazhdon”, tha Hill.
Ai shtoi se ka shqetësime nëse NIS në duart ruse po ndihmon disi në financimin e luftës dhe se këto janë pyetje legjitime që duhet të shqyrtohen me kujdes.
“Do të shohim se cili do të jetë rezultati. Dua t'ju siguroj se vendimi përfundimtar nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në ekonominë serbe. Ne jemi shumë të interesuar që Serbia të vazhdojë të ketë një ekonomi shumë të suksesshme, një normë të mirë rritjeje që është arritur dhe duam që kjo të vazhdojë”, theksoi Hill.
Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Uashingtonit, Hill, të cilit nesër do të jetë dita e 1000 e ambasadorit në Serbi, tha se marrëdhëniet janë të mira dhe se është krijuar një platformë e mirë për zhvillim të mëtejshëm.
"Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se si mund të ecim përpara në fushën e energjisë, e cila është një çështje kyçe në Serbi, sepse nevojat e vendit për energji do të rriten. Dhe mendoj se ne po rrisim kapacitetin për të folur për çështje strategjike, jo vetëm për ato dypalëshe”, tha Hill.
Ai shtoi se ka shumë tema për të diskutuar, e njëra prej tyre është paqja në Evropë dhe fakti që Serbia ka lidhje në mbarë botën.
0 komentet