Tolkach: Çështja e territorit është e dhimbshme për ukrainasit, ashtu si çështja e Kosovës për Serbinë
Çështja e territorit është shumë e dhimbshme për ukrainasit, ashtu si çështja e Kosovës për Serbinë, sepse integriteti territorial është pika nga e cila gjithmonë duhet të nisemi, dhe Ukraina sot po lufton për integritetin e saj territorial dhe paprekshmërinë e kufijve, deklaroi sot ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodimir Tolkach.
“Ne po luftojmë për integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve. Ne nuk mund ta zgjidhim çështjen e territorit pa ndryshime kushtetuese, pa referendum, dhe shumica e ukrainasve, duke u gjendur në një situatë të vështirë – pa energji elektrike, ujë dhe ngrohje – nuk janë të gatshëm t’ia dorëzojnë territoret e tyre agresorit”, tha Tolkach për TV Prva, duke folur për propozimin e Donald Trumpit për përfundimin e konfliktit, i cili parashikon që Ukraina të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj.
I pyetur se si duhet të duket marrëveshja pas luftës, ai u përgjigj se të gjithë duhet të kthehen në “status quo”.
“Duhet të kthehemi në ‘status quo’, ky është mendimi im personal. Te ato kufij që janë njohur nga të gjitha shtetet, përfshirë Federatën Ruse, që nga viti 1997. Ne kemi lejuar shumë kompromise, i kemi lejuar Rusisë që flota e saj të mbetet në Krime, por ata vazhdimisht kanë shkelur marrëveshjet. Shkelja e marrëveshjeve është shkelje e parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Tolkach.
Është e rëndësishme, shtoi ai, që të ndalet derdhja e gjakut.
“Këtë e dëshiron edhe Trumpi. Sot po zhvillojmë negociata, por shumica e ukrainasve nuk janë të gatshëm për lëshime territoriale”, ishte i qartë Tolkach.
Ambasadori, i cili po përfundon mandatin e tij në Serbi, tha se detyra e tij ka qenë ndërtimi i marrëdhënieve miqësore.
“Diçka mund të na pëlqejë ose jo, por duhet të punojmë për ndërtimin e marrëdhënieve mes dy popujve, jashtëzakonisht të afërt. Mendoj se i kam përmbushur obligimet e mia duke dhënë mundësinë që marrëdhëniet tona të zhvillohen. Marrëdhëniet, pas fillimit të luftës në vitin 2014 dhe aneksimit të Krimesë, u ftohën disi, ndërsa që nga fillimi i agresionit të plotë të Federatës Ruse në vitin 2022, megjithatë, janë afruar pak, duke qenë se si për popullin serb ashtu edhe për udhëheqjen u bënë të qarta qëllimet e Rusisë, dhe këto sigurisht nuk janë mbrojtja e popullsisë, të cilën Rusia e ka shkatërruar në lindje të Ukrainës, por shkatërrimi i shtetit”, tha Tolkach.
Ai shprehu mirënjohje për ndihmën humanitare që Serbia i ka dërguar Ukrainës.
“Serbia ka vizionin e vet për vendin e saj në botë dhe për politikën e saj të jashtme. Kjo mund të na pëlqejë ose jo, por duhet ta pranojmë ashtu siç është. Megjithatë, fusha në të cilën Serbia zë një nga vendet udhëheqëse ndër shtetet e rajonit është ndihma humanitare për Ukrainën. Pa ndihmën e aleatëve tanë, përfshirë edhe ndihmën humanitare, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë”, theksoi ambasadori.
Ai bëri të ditur se sot në Ukrainë nuk ka energji elektrike dhe ngrohje dhe se në këtë drejtim Rusia po bën gjithçka për të shkatërruar infrastrukturën energjetike dhe për t’i lënë ukrainasit pa ngrohje dhe energji elektrike. Prandaj, shtoi ai, ndihma është e domosdoshme.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për ndihmën humanitare të Serbisë”, tha ambasadori Tolkach.
Duke pasur parasysh se presidenti Volodimir Zelenski ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO nëse SHBA-ja dhe BE-ja ofrojnë garanci mjaftueshëm të forta të sigurisë, dhe në pyetjen se cilat janë ato garanci, Tolkach u përgjigj se udhëheqja amerikane është e gatshme të shkojë deri aty sa ta bindë Ukrainën të mos i bashkohet NATO-s, duke shtuar se ukrainasit as nuk kishin menduar për anëtarësim në NATO deri në fillimin e agresionit rus.
“Pala ruse përpiqet ta shkatërrojë shtetin tonë. Prandaj na nevojiten garanci sigurie. Ne duhet dhe duam të jemi në shtëpinë e përbashkët evropiane, me një sistem të përbashkët sigurie. Mendoj se edhe populli serb dëshiron të jetojë në një mjedis të sigurt. Duke pasur një armik si ai që ne kemi në lindje, synojmë të marrim garanci konkrete sigurie. Nuk duam që kjo të jetë Memorandumi i Budapestit 2, i cili nuk solli garanci sigurie. Prandaj tani duam garanci konkrete sigurie, të cilat do të na i ofrojë NATO-ja ose aleatët evropianë. Është e rëndësishme që ato të ekzistojnë”, tha Tolkach.
Ai shtoi se sot miqtë e Ukrainës janë ato vende ku demokracia është e zhvilluar.
“Këto janë BE-ja, vendet e BE-së, vendet kandidate për anëtarësim në BE, si dhe SHBA-ja, Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar mbi të gjitha. Janë të gjithë ata që na mbështesin sot, që mbështesin parimet për të cilat ne po luftojmë”, tha ambasadori Tolkach.
0 komentet