Hyde: Agjendat kombëtare që ndonjëherë janë në kundërshtim pengojnë atë që OKB mund të arrijë
Bashkëpunëtori i lartë dhe drejtor i Programit për transformimin e konflikteve dhe drejtimin në Qendrën Stimson në Uashington, Andrew G. Hyde, thotë për Kosovo online se Kombeve të Bashkuara u nevojiten reforma më themelore në mënyrë që të jenë të përshtatshme për qëllimin e tyre në shekullin XXI, por se pyetja e vërtetë është se çfarë do të thotë realisht reforma e OKB-së.
„Shumëkush mund të thotë se e mbështet reformën, por ajo që duan të shohin nga reforma është shumë e ndryshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën administratën e tanishme, kanë ambicie shumë të mëdha për reformë. Nuk e di nëse shtetet e tjera anëtare e ndajnë plotësisht këtë. Pra, mendoj se ekziston një interesim për reformë, por çfarë do të jetë dhe sa larg do të shkojë, është një pyetje e madhe“, thekson Hyde.
Ai mendon gjithashtu se OKB ka kapacitet të përballet me sfidat e sotme, por që nuk i lejohet ta përdorë atë në mënyrën që do të ishte e suksesshme.
„Ekziston një sërë agjendash kombëtare në OKB që ndonjëherë janë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe këto agjenda pengojnë atë që OKB realisht mund të arrijë“, vë në dukje ai.
Sipas tij, si kombet e mëdha ashtu edhe ato të vogla duhet të kuptojnë se nuk ka alternativë ndaj kësaj organizate dhe se „OKB është mjeti që kemi“.
„Thjesht duhet të jemi në gjendje t’u ofrojmë atyre mbështetje të mjaftueshme politike, mbështetje të mjaftueshme financiare, për ta kryer punën e tyre dhe për të përfaqësuar me sukses aspiratat globale“, beson Hyde.
Ai shton gjithashtu se është e nevojshme sigurimi i koherencës politike në mënyrë që OKB të mbështetet politikisht në skenën botërore në konfliktet që janë të rëndësishme.
„Në Ukrainë, për shembull, OKB për momentin nuk luan një rol aktiv. E dimë çfarë ka ndodhur në Gaza dhe në Lindjen e Mesme. Nuk po luajnë rol. Këto nuk janë vendime që i ka marrë vetë OKB. Këto janë vendime që liderët politikë anembanë botës kanë thënë: 'ne do t’i lëmë mënjanë OKB. OKB nuk do të jetë pjesë e këtyre proceseve paqësore'. Kjo duhet të ndryshojë, sepse është mënyra e vetme për të arritur sukses në gjetjen e paqes në ato konflikte“, vlerëson Hyde.
Debati i përgjithshëm i sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të fillojë nesër, ndërsa në vitin jubilar tema e debatit të përgjithshëm është „Më mirë së bashku: 80 vjet dhe më shumë për paqe, zhvillim dhe të drejta të njeriut“.
0 komentet