Imeri: Letra e BE-së është dëshmi e urgjencës për formimin e institucioneve në Kosovë
Analisti politik Dorajet Imeri ka vlerësuar se paralajmërimi i shefit të Misionit të BE-së, Aivo Orav, kryeministrit në mandat teknik Albin Kurti është “dëshmi e urgjencës” për formimin e institucioneve në Kosovë, por edhe një sinjal se për “të ardhmen evropiane” është e domosdoshme ruajtja e partneritetit dhe bashkëpunimit me Brukselin.
„Shkresa e dërguar qeverisë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian përbën një thirrje që sa më shpejt të konstituohen institucionet e Kosovës, veçanërisht Kuvendi dhe qeveria. Është e domosdoshme që partitë politike të tregojnë gatishmëri për marrëveshje dhe që institucionet të kompletohen sa më shpejt“, ka deklaruar Imeri për Kosova Press.
Shefi i Misionit të BE-së, Aivo Orav, në letrën dërguar kryeministrit në mandat teknik, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përfaqësuesit e BE-së nuk do të marrin pjesë më në takime me të dhe me ministrat e tjerë derisa të formohet një qeveri me mandat të plotë.
Imeri thekson se për Kosovën është e domosdoshme ruajtja e partneritetit dhe bashkëpunimit me Brukselin.
„Kosova dhe BE-ja janë partnerë strategjikë. Kosova, e vetëdijshme për të ardhmen e saj evropiane, duhet të kuptojë se ruajtja e këtij partneriteti dhe bashkëpunimi në nivelin më të lartë është një domosdoshmëri“, ka nënvizuar Imeri.
0 komentet