Inspeksioni komunal tentoi të largojë shenjën “E dua Mitrovicën”, policia ndaloi Radojeviqin dhe Zaporozhacin
Inspeksioni komunal i Mitrovicës së Veriut doli sot rreth orës 10:00 në vendin ku ndodhet shenja “E dua Mitrovicën” me qëllim që ta largojë atë, ndërsa Policia e Kosovës ndaloi kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac.
Para stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, ku u dërguan Zaporozhaci dhe Radojeviqi, u mblodhën anëtarë të Listës Serbe.
Në stacion mbërriti edhe avokati Predrag Milkoviq, i cili do t’i përfaqësojë të ndaluarit.
Ndalimi dhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës ndodhën kur kryetari Radojeviq tentoi të mbulonte me sprej të kuq zemrën me ngjyrë të gjelbër në shenjë, me ç’rast policia e shtyu kryetarin e Mitrovicës së Veriut.
Radojeviq i tha gazetarit të Kosovo online se në stacion “pret gjithçka”.
“Siç po e shihni, po më shtyjnë dhe po mëtërheqin për krahu, gjithçka mund të pritet”, tha ai ndërsa policët po e shoqëronin drejt automjetit.
Për largimin e planifikuar të shenjës, në përputhje me procedurat ligjore, ishte njoftuar edhe policia, e cila edhe gjatë aksionit të mëparshëm për zëvendësimin e këtij simboli kishte ofruar asistencë për kompaninë e angazhuar për zëvendësimin e tij.
Në terren ndodhej edhe një kamion i kompanisë së angazhuar nga komuna, i cili duhej të përdorej për heqjen e shkronjave nga konstruksioni.
Në vendngjarje ishte i pranishëm një numër i madh zyrtarësh policorë, si me uniformë ashtu edhe civilë, si dhe disa automjete policore.
Shenja ku më parë, me alfabet cirilik, shkruante “Unë e dua Mitrovicën e Kosovës” u hoq më 2 tetor të vitit të kaluar me asistencën e Policisë së Kosovës.
Në vend të saj, po atë ditë, u vendos një shenjë me alfabet latin ku shkruan vetëm “Mitrovica”, e shoqëruar me një zemër me ngjyrë të gjelbër.
0 komentet