Jevtiq: Marrëveshja zgjidh problemin e gjithë serbëve në Kosovë dhe Metohi pa dokumente të Prishtinës
Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, deklaroi sot se marrëveshja e arritur lidhur me zbatimin e ligjit për të huajt dhe për automjetet do të zgjidhë problemin e serbëve nga Kosova që nuk kanë dokumente personale të lëshuara nga Prishtina, si dhe të profesorëve, mjekëve dhe studentëve që vijnë nga Serbia qendrore për të punuar dhe studiuar, raporton Politika.
“Ne kemi bërë një analizë të detajuar dhe të dhënat tregojnë se midis 7,000 dhe 10,000 serbëve nga Kosova dhe Metohia, për arsye të ndryshme, nuk kanë dokumente të lëshuara nga Prishtina. Numrit të tyre duhet t’i shtohet edhe një numër i caktuar profesorësh, mjekësh dhe studentësh që vijnë nga Serbia qendrore, dhe nëse nuk do të ishte arritur kjo marrëveshje, të gjithë këta njerëz do të ishin në vështirësi që nga nesër për të qëndruar, punuar dhe lëvizur në Kosovë dhe Metohi”, tha Jevtiq për Tanjug.
Ai vlerësoi se situata nuk është ideale, por duhet të gjenden zgjidhje praktike për të siguruar një jetë normale dhe të papenguar, dhe për të parandaluar atë që ishte synimi i Albin Kurtit, siç tha ai, një persekutim administrativ i popullsisë serbe, raporton Politika.
Jevtiq tha se nuk është sekret që Kurti në këtë rast ka përdorur modelin kroat për krijimin e problemeve me dokumentet, me qëllim zvogëlimin e numrit të serbëve.
“Gjatë bisedave që kam pasur me miq serbë nga Kroacia, disa herë kam dëgjuar se Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij shkonin në Zagreb dhe aty merrnin udhëzime se si dhe në çfarë mënyre të vepronin ashtu si Kroacia ka vepruar me serbët në Kroaci. Pra, në të njëjtën mënyrë, pa dhunë fizike, pa asnjë plumb të gjuajtur, të dëbojnë serbët nga Kosova dhe Metohia”, sqaroi ai.
Ai shpjegoi se njerëzit që për shkak të kartës së tyre të identitetit serbe nuk mund të merrnin dokumente të Kosovës, sepse Prishtina nuk i njeh këto karta, tani sipas marrëveshjes më të fundit do të mund të marrin dokumente kosovare.
“Është rënë dakord që brenda një periudhe tre mujore të gjithë këta njerëz të marrin dokumentet që lëshon Prishtina dhe kështu të zgjidhet ky problem administrativ. Prishtina u ka krijuar atyre pengesa burokratike dhe nuk kanë mundur të marrin dokumentet, por tani kjo do të mundësohet me këtë marrëveshje”, tha ai.
Ai shtoi se situata rreth zbatimit të ligjit për të huajt dhe targat të automjeteve në Kosovë ka qenë shumë e tensionuar dhe e pasigurt.
“Shumëkush ka akuzuar edhe udhëheqjen tonë shtetërore dhe Listën Serbe se nuk po bëjmë asgjë, se heshtim, dhe se ligji për të huajt do të hynte në fuqi pa asnjë reagim nga ana jonë. Megjithatë, ne kemi punuar gjithë këtë kohë për të arritur diçka që do të mundësojë që nesër, të hënën, siç është thënë tashmë, të jetë një ditë normale pune për jetën dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, tha Jevtiq.
Ai përsëriti se situata nuk është ideale dhe jo ashtu si do të dëshironin serbët, por duhet të gjenden zgjidhje praktike në shërbim të qytetarëve, çka tani po ndodh.
0 komentet