Jevtiq: Pozita e popullit serb në Kosovë dhe Metohi nuk ka qenë kurrë më e keqe
Nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, deklaroi se nata në Kosovë ka qenë e tensionuar, pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës, qëllimi i të cilave, siç theksoi, ishte dëbimi i popullit serb nga shtëpitë e tyre, raporton RTV.
Jevtiq tha se dje ishte në Mitrovicë e Kosovës dhe se e pa qartë se njerëzit ishin të mërzitur.
“Gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe populli serb do të këmbëngulë në këtë pavarësisht nga të gjitha presionet, por kjo nuk do të thotë se ne do t'i durojmë ato presione pa një përgjigje demokratike dhe vendimtare”, tha Jevtiq për TV Prva.
Ai ka theksuar se serbët në Kosovë kanë jetuar në rrethana të vështira për dekada të tëra, por se pozita e popullit serb nuk ka qenë kurrë më e vështirë për shkak të gjithçkaje që po bën qeveria në Prishtinë.
Jevtiq theksoi se serbët në Kosovë janë të inkurajuar nga ajo që po bën Beogradi zyrtar, veçanërisht Presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe se serbët nga Kosova i besojnë vetëm Presidentit Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë.
“Presidenti Vuçiq komunikon me ne çdo ditë dhe po bën gjithçka për të ruajtur paqen”, tha Jevtiq.
Ai ka shtuar se nga ajo që ka ndodhur ditët e kaluara, veçanërisht e ka shqetësuar prania e njësive speciale të Policisë së Kosovës në kopshtin e fëmijëve në Leposaviq, si dhe skenat në kantinën e verës Petroviq në Hoçë të Madhe.
Duke folur për konfiskimin e verës së asaj familjeje, Jevtiq ka theksuar se kur i hiqet dikujt ajo nga çka jeton, kjo është mesazh se Prishtina nuk dëshiron t'i shohë ata njerëz në territorin e Kosovës.
Jevtiq theksoi se Prishtina po përpiqet t'i paraqesë të gjithë serbët si kriminelë dhe se qëllimi është të frikësojë edhe më shumë serbët që ata të largohen nga Kosova.
komentet