Kacarska: Samiti i Komunitetit Politik Evropian pa vendime të mëdha, u diskutua për migracionin

Simonida Kacarska
Burim: Kosovo Online

Drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane nga Shkupi, Simonida Kacarska, deklaroi për Kosovo online se në samitin e djeshëm të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë nuk pati vendime të mëdha dhe se diskutimi iu kushtua disa çështjeve që lidhen me migracionin dhe tregtinë ilegale, kryesisht me interes për Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Kacarska vëren se samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE) ra në hije të samitit të BE-së me të cilin u mbivendos, pasi Danimarka aktualisht kryeson Bashkimin Evropian, dhe në samitin e BE-së, siç thotë ajo, u shqyrtuan çështje shumë më të mëdha e thelbësore, para së gjithash në fushën e sigurisë.

Megjithatë, drejtoresha e Institutit për Politikë Evropiane nga Shkupi thekson se në samitet e KPE-së zakonisht nuk merren vendime të mëdha, nuk ka rezoluta të rëndësishme, por ato janë më tepër forume diskutimi.

“Është forum simbolik. Ka pasur disa iniciativa më të vogla kur samiti u mbajt në Moldavi, në lidhje me sigurinë digjitale e të ngjashme. Në këto forume, vendet kandidate për anëtarësim në BE mund të japin kontribut, ndoshta jo në mënyrë të barabartë, por në një nivel më të lartë se sa janë të mësuara zakonisht”, thotë bashkëbiseduesja jonë.

Siç shton ajo, përfaqësuesit e vendeve kandidate për anëtarësim në BE në takimet e KPE-së ulen në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, janë aktorë aktivë dhe për ta kjo është një mundësi që të shohin veten si krijues të politikave të caktuara, pasi shpesh janë në pozitë pritëse.

Kacarska kujton se Komuniteti Politik Evropian është një koncept që presidenti francez Emmanuel Macron e njoftoi para tre vitesh dhe që është i rëndësishëm në kontekstin e kuptimit të zgjeruar të Evropës.

“Pas pushtimit rus të Ukrainës, synimi ishte të vendosej dialog me aktorë të tjerë që janë gjeografikisht në Evropë – Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë, disa nga vendet e Kaukazit – në kontekstin e ndërtimit të qasjeve të përbashkëta ndaj situatës së re dhe ndoshta kjo pjesërisht është realizuar. Në atë kohë për vendet kandidate ishte shumë e rëndësishme të trajtoheshin si aktorë të barabartë, pra të mos ishin në një pozitë të nënshtruar. Këtu, përfaqësuesit e vendeve kandidate janë në të njëjtin nivel me të gjithë liderët e tjerë të Bashkimit Evropian”, thekson Kacarska.