Shoqëria civile u bëri thirrje Quint-it, BE-së dhe OSBE-së të parandalojnë rrënimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor të serbëve në Kosovë
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit akademik nga mjediset serbe në gjithë Kosovën u bënë thirrje ambasadorëve të Quint-it, BE-së dhe OSBE-së në Kosovë që të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar rrënimin e mëtejshëm të sistemit arsimor dhe shëndetësor që u ofrohet qytetarëve serbë në Kosovë.
Në një komunikatë të përbashkët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetit akademik paralajmërojnë se këto shërbime janë aktualisht të rrezikuara në mënyrë të tërthortë përmes zbatimit të zgjidhjeve ligjore që, në një kuadër juridik të parregulluar, po prodhojnë pasoja të dëmshme.
Ata shtojnë se zbatimi i rreptë i paralajmëruar i Ligjit për të huajt parashikon detyrimin për leje qëndrimi të lidhura me institucionet e akredituara.
“Duke pasur parasysh statusin e pazgjidhur të akreditimit të Universitetit në Mitrovicë dhe të institucioneve në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, kjo do t’ua pamundësonte mijëra studentëve, profesorëve dhe punonjësve shëndetësorë të përkatësive të ndryshme etnike (serbë, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë) nga Serbia dhe Kosova të vazhdojnë punën dhe studimet e tyre. Shumë prej tyre janë persona të zhvendosur nga Kosova që tashmë përballen me pengesa administrative për marrjen e dokumenteve të Kosovës. Masa të tilla, në praktikë, do të çonin institucionet arsimore dhe shëndetësore, që janë kyçe për komunitetin serb në Kosovë, drejt një bllokimi të plotë, duke ua pamundësuar funksionimin normal, madje edhe duke ndikuar tek qytetarët që kanë vendbanim të rregullt në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Një zhvillim i tillë, siç shtohet në komunikatën e përbashkët, do të përbënte shkelje serioze të të drejtave të njeriut të një komuniteti etnik dhe do ta bënte të pamundur çdo perspektivë reale për ndërtimin e një Kosove multietnike dhe ruajtjen e stabilitetit në rajonin më të gjerë.
Ata porositin se nga një skenar i tillë i ndan shumë pak kohë dhe pasojat do të ishin të parikuperueshme.
“Për këtë arsye, dhe duke pasur parasysh parimet e përfshira në Marrëveshjen Evropiane për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si i vetmi kornizë ndërkombëtarisht e njohur për zgjidhjen e këtij problemi, të drejtat kushtetuese dhe ligjore të komunitetit serb në Kosovë, që garantojnë barazinë para ligjit, të drejtën për arsimim në gjuhën e vet, të drejtën për qasje në kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale pa diskriminim, faktin shqetësues se ndryshimet thelbësore po zbatohen në mungesë të një qeverie plotësisht funksionale në Kosovë, me ç’rast vakuumi institucional po shfrytëzohet në mënyrë që rrezikon përpjekjet e mëhershme dhe obligimet e marra, përgjegjësinë politike dhe morale të aktorëve ndërkombëtarë të cilëve u drejtohemi, si ndërmjetës kyç në procesin e zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian të Kosovës, i bëjmë thirrje ambasadorëve të Quint-it, BE-së dhe OSBE-së në Kosovë që të veprojnë me vendosmëri”, thuhet në komunikatë.
Kërkesat e shoqërisë civile dhe komunitetit akademik nga mjediset serbe janë:
1: Moratorium i përkohshëm për zbatimin e Ligjit për të huajt, deri në përfundimin e rishikimit të përputhshmërisë me standardet e përcaktuara nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, meqë zbatimi i tij, në rrethanat aktuale, do ta privonte komunitetin serb nga shërbimet arsimore dhe shëndetësore të një rëndësie jetike.
2: Nisja e mekanizmave ndërkombëtarë përkatës, përfshirë dërgimin e ligjit në Komisionin e Venecias, me qëllim të rishikimit të pasojave të tij mbi të drejtat e njeriut të komunitetit serb në Kosovë.
Nënshkruesit e iniciativës janë: Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative – CASA, Nisma e Re Shoqërore – NSI, Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial – Inter, Grupi Joformal i Profesorëve të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut, Proaktiv Aktiv, Qendra për Zhvillimin e Kulturës Demokratike – ACDC, Qendra për Paqe dhe Tolerancë – CPT, Shoqata e Grave të Biznesit Avenija – UPŽ, Graçanica online, Qendra Humane Mitrovica, Qendra për Iniciativa Shoqërore, Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndëretnik – FDMC, OJQ Factor, OJQ Instituti për Hulumtime Publike, OJQ Herc, Shoqata Sportive për Edukim Fizik, Këshilli Rinor Graçanicë, Iniciativa e të Rinjve Kuzmin, Qendra Kulturore e Fëmijëve Graçanicë, Qendra për Tranzicion dhe Ndërmjetësim, OJQ E Drejta e Grave, Komunikimi për Zhvillimin e Shoqërisë – CSD, OJQ Burimet Etnike, Aleanca e Shoqatave të Grave – SUŽ, Unioni i Punëdhënësve të Kosovës – UPK, Qendra Inkluzive e Grave, Aktiviteti Rinor i Parteshit, Rrjeti për Aktivizëm Qytetar, Shoqata e Grave të Biznesit – WBA, Instituti për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Innovate.
0 komentet