KK Graçanica miratoi Deklaratën me të cilën kërkohet që serbët e arrestuar të mbrohen në liri

Skupština Opštine Gračanica
Burim: RTV Gračanica

Kuvendi Komunal i Graçanicës miratoi sot një Deklaratë me të cilën kërkohet nga institucionet kompetente që këshilltarëve dhe drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore të arrestuar t’u mundësohet të mbrohen në liri, me respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve të gjykimit të drejtë.

Deklarata u miratua me propozim të këshilltarëve të Listës Serbe.

„Kuvendi Komunal i Graçanicës shpreh shqetësim të thellë lidhur me arrestimin e këshilltarëve dhe drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, të cilin e përjetojmë si vazhdim të presionit politik dhe represionit institucional ndaj popullit tonë dhe përfaqësuesve të institucioneve në Graçanicë“, thuhet në Deklaratë, transmeton RTV Graçanica.

Në dokument dënohen „padrejtësia, procedurat e motivuara politikisht dhe presioni që ushtrohet ndaj njerëzve të pafajshëm, shkelja e vetme e të cilëve është se e kanë kryer punën e tyre me ndershmëri dhe përgjegjësi në interes të qytetarëve“.

Prandaj, Kuvendi Komunal i Graçanicës kërkon nga institucionet kompetente që drejtorëve dhe këshilltarëve të arrestuar t’u mundësohet të mbrohen në liri, me respektim të plotë të të drejtave themelore të njeriut dhe parimeve të gjykimit të drejtë dhe prezumimit të pafajësisë, duke iu përmbajtur në mënyrë konsekuente ligjeve mbi të cilat mbështetet Kushtetuta.

„I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesve të BE-së, OSBE-së, EULEX-it dhe të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare që të mbrojnë të drejtat themelore të popullit serb dhe të parandalojnë përndjekjet dhe frikësimet e mëtejshme të motivuara politikisht“, thuhet në Deklaratë.

Shtohet se Kuvendi Komunal i Graçanicës mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit, dialogut dhe ruajtjes së institucioneve, të drejtave të popullit serb dhe komuniteteve të tjera në këto hapësira.

Shtatë serbë u arrestuan javën e kaluar në Graçanicë nën akuzën për „shkelje të vullnetit të lirë të votuesve“ dhe ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit deri në 30 ditë.

Kolegët e tyre nga institucionet shëndetësore dhe arsimore prej ditësh po shprehin pakënaqësi, duke kërkuar që ata të lejohen të mbrohen në liri.

Kryetari i Listës Serbe dhe drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë, Zlatan Elek, theksoi në tubimin e djeshëm se mjekët dhe punonjësit e arsimit janë të domosdoshëm për popullin serb.

„Është e pabesueshme që gjëra të tilla ndodhin në shekullin 21., por jemi mësuar me një model të tillë të pushtetit nga Prishtina, e cila së bashku me disa satelitë, që fatkeqësisht mbajnë emër dhe mbiemër serb, përpiqen të fusin frikë dhe shqetësim te qytetarët në Kosovën qendrore“, tha Elek.