Kollar dhe Stefançuk me Orlliqin: Sllovakia dhe Ukraina mbështesin integritetin territorial të Serbisë
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vlladimir Orlliq, ka takuar sot në Pragë krerët e parlamenteve të Sllovakisë dhe Ukrainës, Boris Kollar dhe Rusllan Stefançuk, të cilët konfirmuan edhe një herë qëndrimet e tyre për respektimin e integritetit territorial të Serbisë.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Serbisë, kryetari i parlamentit sllovak Boris Kollar tha se Sllovakia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Rusllan Stefançuk theksoi se Ukraina respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë si çështje parimore.
"Ne gjithashtu e komunikuam qartë këtë në kohën e sulmit ndaj vendit tuaj në 1999.", Stefançuk i përcolli Orlliqit,thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftimin e Kuvendit të Serbisë, Orlliq u takua me kolegët e tij nga Sllovakia dhe Ukraina në margjinat e Konferencës dyditore të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Pragë, ku morën pjesë kryetarët e parlamentet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, si dhe Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Mecolla.
Orlliq u tha bashkëbiseduesve se "Prishtina po vazhdon të kërcënojë hapur çdo dialog, për më shumë se 10 vjet refuzon të përmbushë detyrimin për të formuar BKS, ajo terrorizon popullin serb çdo ditë, dhe organizon ‘zgjedhje’ në komunitetet serbe pa asnjë pjesëmarrje të serbëve”.
“Për të gjitha keqbërjet e tij ai kërkon dhe merr shpërblime, e fundit prej të cilave vjen në formën e një kandidature për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Orlliq.
Me rastin e takimit me Orlliqin, ka folur edhe Stefançuk, i cili përmes një postimi në Twitter ka thënë se shpreson se “Serbia do t'i bashkohet koalicionit ndërkombëtar, për të mbështetur luftën e Ukrainës”.
Orlliq u takua në Pragë edhe me kryetarin e Komisionit për Çështje Evropiane të Senatit të Republikës së Francës, Zhan-Fransoa Rapin, të cilin e informoi në detaje për gjendjen aktuale të procesit të integrimit evropian dhe situatën e vështirë për serbët në Kosovë e Metohi.
Rapin vuri në dukje rëndësinë e miqësisë tradicionale mes dy vendeve dhe dy popujve dhe konfirmoi mbështetjen për rrugën evropiane të Serbisë.
Kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së deklaruan në konkluzionet e Konferencës se u pranua nevoja që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare të vazhdojnë të mbështesin në mënyrë proaktive dhe të vendosur procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, me afate të përcaktuara qartë për pranimin në anëtarësim, pas zbatimit të reformave dhe plotësimit të kritereve të nevojshme.
0 komentet