Konferenca rreth respektimit të të drejtave të të zhdukurve: Vetëm së bashku familjet e sërbëve dhe shqiptarëve të zhdukur mund të shkohet drejt së vërtetës
Zgjidhja e fatit të të zhdukurve është parakusht për të ardhmen e shoqërisë shumëetnike, ndërsa veçse bashkarisht familjet shqiptare dhe sërbe të dashurit e të cilëve u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, mund të luftojnë për të drejtat themelore të njeriut dhe të mësojnë të vërtetën, është thënë sot në konferencën “A respektohen të drejtat e familjeve të personave të zhdukur” mbajtur në Beograd me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Konferenca u organizua nga Shoqata e Familjeve të Viktimave të Kosmetit dhe Qendra Burimore Shumëetnike për personat e zhdukur në Prishtinë me qëllim inkurajimin e zyrtarëve në Prishtinë e Beograd, si dhe të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore që merren me çështjet e të zhdukurve, që të përkushtohen seriozisht dhe me përgjegjësi për gjetjen e të gjithë 1628 personave, emrat e të cilëve prej 24 vitesh rezultojnë në listën e integruar të personave të zhdukur.
Përfaqësues të familjeve shqiptare dhe sërbe, të dashurit e të cilëve janë zhdukur në territorin e Kosovës, theksojnë se Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut është akoma një mundësi tjetër për të përcjellë mesazh të fortë të përbashkët për publikun: “Mos e injoroni problemin e të gjithë të zhdukurve në Kosovë. “ dhe theksojnë se të drejtat e familjeve të të zhdukurve, po shkelen rëndë prej çerek shekulli.
Konferenca, e cila për familjet e të zhdukurve ka rëndësi të madhe, është mbështetur nga KNKK, Ambasadat e Britanisë dhe Suedisë në Prishtinë dhe PNUD.
Përfaqësuesja e Komisionit për Personat e Zhdukur në Qeverinë e Sërbisë Vesna Boshkoviq, shprehu ngushëllimet e saja të thella për familjet dhe shprehu keqardhjen që sot nuk ka mundësi të lavdërohet me rezultatet e mëdha në procesin e zgjidhjes së rasteve të personave të zhdukur.
“Nuk kemi rezultate, por jemi bashkë dhe vetëm kështu do të zgjidhet ky problem. Familjet ende po presin të varrosin mbetjet e vdekura. Të dashurit e tyre u ndalën udhës, u rrëmbyen, torturuan, nuk kishin të drejtë për gjykim. I’u mor e drejta e jetës” tha Boshkoviq.
Kjo e fundit tha se të gjitha kërkesat dhe përpjekjet e familjeve të të zhdukurve deri më tani nuk kanë dhënë fryte, komuniteti ndërkombëtar, i cili, siç thekson, mund dhe t’a kishte zgjidhur konfliktin, nuk ofron mbështetje të mjaftueshme për zgjidhjen e rasteve.
Ajo tha se përjashtimi nga politika është e vetmja rrugë për të nisur procesin e zbardhjes së rasteve të personave të zhdukur.
“Urgjentisht zhbllokoni procesin dhe largo politikën nga kjo çështje humanitare” tha Boshkoviq.
Megjithatë, ajo shtoi se sot është pak optimiste, duke kujtuar se delegacionet e të dyja palëve sot po kthehen nga Brukseli. Ajo ka bërë të ditur se më 31 janar do të mbahet seanca e Grupit të Punës për personat e zhdukur ku do të bëhen fjalë rreth lokacioneve, arkivave dhe identifikimet dhe do të caktohet afati se kur do të zhvillohen aktivitetet.
Ajo shtoi se rreth një muaj pas kësaj séance, duhet të mbahet seanca e grupit të punës me përfaqësues të delegacioneve.
"Kurrë nuk ndalëm. Kemi 20 lokacione që do t'i kërkojmë Prishtinës t'i hetojë. Kemi raste të reja të filluara. Megjithatë, ndoshta mund të bëjmë më shumë. Kërkoj ndjesë që nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë dhe ndonjëherë turpërohem para familjeve, por nuk do të dorëzohemi. Pa punë të përbashkët nuk mund të presim zhvarrime dhe identifikime të reja” ka përfunduar ajo.
Kryetarja e Shoqatës së Viktimave të Kosmetit, e cila mbledh familjet e sërbëve të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur nga Kosova Natasha Shqepanoviq, theksoi se të drejtat e familjeve të të zhdukurve janë shkelur për dekadën e tretë dhe se institucionet dhe Bashkësia ndërkombëtare është bashkëfajtore në këtë.
“Kemi të drejtë për varrim të denjë për më të afërtit tanë, që përgjegjësit e krimeve të mbajnë përgjegjësi, që të dimë të vërtetën. Na është marrë e drejta për të zbuluar të vërtetën, ndaj fjalët tona janë të trishtueshme. Për çerek shekulli kujtojmë se na janë shkelur të drejtat më elementare të të zhdukurve para, gjatë dhe pas konflikteve të armatosura në Kosovë e Metohi, si dhe të drejtat e familjarëve të tyre. Në konferencat e përbashkëta për gazetarët me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, tradicionalisht kemi kërkuar dhe kërkojmë .. ndihmë dhe mbështetje prej autoriteteve, institucioneve dhe organizatave përgjegjëse të n’a thonë se ku ndodhen familjarët tanë-të gjithë ata që ishin pa mend në vitet ’90, pavarësisht nga kombësia dhe përkatësia fetare, u zhdukën pa lënë gjurmë”, tha ajo.
Theksoi se as në Prishtinë e as në Beograd nuk ka vullnet politik për të punuar në zbardhjen e rasteve të të zhdukurve.
Bajram Qerkinaj nga Qendra e Departamentit për Persona të Zhdukur në Prishtinë tha se sot janë të paktë ata që mund t’a kuptojnë dhimbjen e familjeve të personave të zhdukur dhe t'u ofrojnë fjalë ngushëllimi.
“Shoqatat nga Sërbia tek kjo punojnë shumë mirë, por puna është e vështirë. Na shqetëson politika. Faleminderit të gjithëve që na ndihmojnë, por politika e ka komplikuar situatën e personave të zhdukur. Gjatë luftës sonë janë shpërngulur 1607 persona. Kush do të na japë përgjigjen. Prej 25 vitesh po presim me dhimbje dhe ende nuk dimë asgjë. Nuk dimë se çfarë ka ndodhur me të moshuarit, por as për foshnjat që u janë marrë nënat e tyre. Më 10 dhjetor politikanët ashtu si dhe më herët heshtën. Sa kohë duhet të presim që të arrini marrëveshje? Kush është fajtor për këtë”, vëren Qerkinaj.
Ambasadat e huaja, siç thekson ai, pohojnë se nuk mund të japin pamje direkte satelitore sepse për këtë nevojitet leje prej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.
“Kërkoj që shoqata nga Prishtina të dërgojë kërkesë për të siguruar pamje satelitore që përmbajnë fotografi për personat e zhdukur. Nga Beogradi kërkojmë qendër përkujtimore ku të mund të vendosim qirinj dhe lule. Përcollëm letër Kuvendit për këtë dhe nuk morëm përgjigje. Edhe qentë kanë të drejtë të dinë diçka, fëmijët tanë janë njerëz dhe politikanët duhet të kujdesen për këtë. Të drejtat tona të njeriut janë shkelur si në Kosovë ashtu edhe në Sërbi. Askush nuk mund të më thotë se kjo çështje nuk mund të zgjidhet për 25 vjet. Nuk mund të gënjejnë më familjet për Ligjin për Personat e Zhdukur, na nevojitet mbështetja e shtetit” tha Qerkinaj.
Familjet kërkojnë mbështetjen e institucioneve vendore, thekson ai, sepse mjaft me ndihmat pa rezultat të ndërkombëtarëve.
Prioritet sipas tij, është strategjia dhe ligji pesëvjeçar për personat e zhdukur.
“Eja të bashkohemi, jam në gjendje të shkoj në Parlament dhe në Komisionin Qeveritar dhe strategjia duhet të përfshijë të gjithë njerëzit që kërkojnë të dashurit e tyre”. 50% e kosovarëve janë larguar dhe largohen përditë. Mos thoni se kemi bërë mjaft. Politikanët le t’a dinë se ne nuk do të ndalemi dhe do t’a ngremë zërin me metoda të tjera”, paralajmëroi Qerkinaj.
Anëtari i Shoqatës së viktimave të Kosmetit Marinko Gjuriq, lavdëroi guximin e Bajram Qerkinajt, i cili është në kërkim të djalit të vet qysh prej vitit 1999, si dhe këmbënguljen e të gjitha familjeve të tjera.
“Shteti është i detyruar që të ndihmojë familjet e të zhdukurve pavarësisht përkatësisë etnike që të mësojnë të vërtetën rreth fatit të tyre” tha ai.
Xhila Haziri e cila ende nuk e di se ku është bashkëshorti i saj, theksoi se ajo drejton Shoqatën “Zëri i Nënave” nga Mitrovica e Kosovës.
“Burri im ka qenë viktimë civile dhe unë drejtoj shoqatën në Mitrovicë. Duhet, shpresoj që diçka e mirë të dalë nga puna jonë. Nuk është e lehtë të mblidhemi, na shkelen të drejtat, nuk kemi pensione, përfitime, arsim të mirëfilltë, drejtësi... Megjithatë egziston apeli që të vazhdojë bashkëpunimi, të gjithë kërkojmë nënat tona, bashkëshortët, fëmijët, mos o Zot që të mos na interesojë kjo punë, të mos hezitojmë dhe të mos ndalemi kurrë” theksoi ajo.
Gazetarja dhe anëtarja e shoqatës së familjeve të viktimave të Kosmetit Gordana Gjikanoviq, deklaroi se konferencë e ngjashme u mbajt para një jave në Prishtinë dhe tha se qëllimi kryesor i këtyre tubimeve, ishte që publikut dhe autoriteteve si në Beograd dhe në Prishtinë t’u bëhet e ditur se të drejtat e familjeve të të zhdukurve janë shkelur rëndë prej vitesh.
“Ndoshta mund të kishim bërë më shumë dhe më mirë, por me resurset që kemi, mendoj se në vazhdimësi kemi punuar për të përshpejtuar procesin e gjetjes së të zhdukurve dhe për të rregulluar me ligj të drejtat e familjeve të tyre”, përfundoi ajo.





0 komentet