Kovaç: Kërkesa e Prishtinës për të qenë mysafir special nuk është në agjendën e Komitetit Politik të APKE-së

Elvira Kovač.jpg
Burim: Print Screen

Anëtarja e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Elvira Kovaç, deklaroi se deri tani në rendin zyrtar të ditës të mbledhjes së Komitetit Politik të APKE-së në Kretë më 26 dhe 27 maj, nuk figuron kërkesa e Kosovës për të fituar statusin e mysafirit special, raporton Politika.

“Nuk ka shenja të tilla në rendin zyrtar të ditës, tashmë kemi marrë edhe versionin e tretë, por gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndjekim zhvillimet. Do të kemi takim me presidentin e APKE-së, Teodoros Rosopulos, si dhe me disa deputetë, anëtarë të atij komiteti, nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe me deputetë nga vendet që e kanë njohur të ashtuquajturën Kosovë”, tha Kovaç për Tanjug.

Ajo shtoi se delegacioni i Serbisë po shpjegon se kushti i të gjitha kushteve është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe se tani nuk është momenti që Kosova të shpërblehet në ndonjë mënyrë.

“Kemi biseduar disa herë me drejtuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe çdo herë duhet të shfrytëzojmë rastin për të folur për shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve dhe të pakicave tjera jo-shqiptare në Kosovë dhe Metohi, sepse kjo organizatë ka për themel të drejtat e njeriut”, kujtoi Kovaç.

Ajo theksoi se më herët, në një mbledhje në Paris, është propozuar që Kosovës t’i jepet statusi i mysafirit special, por se delegacioni i Kuvendit të Serbisë e hoqi atë pikë nga rendi i ditës me ndihmën e presidentit të grupit politik të Partisë Popullore Evropiane.

Në Kretë do të jetë edhe raportuesja për Kosovën, Dora Bakojani, e cila, pavarësisht kundërshtimeve të Beogradit dhe paralajmërimeve se Kosova vazhdimisht shkel të drejtat e njeriut, në raportin e miratuar në Parlamentin e Këshillit të Evropës, propozoi që Prishtina të bëhet anëtare.

Delegacioni i Serbisë do të shkëmbejë mendime me ministrin e jashtëm të Greqisë, dhe do të shfrytëzojë rastin për të biseduar edhe me Dora Bakojanin.