Kryetarët e komunave nga veriu me Pratipati: Të sigurohen kushtet për funksionimin e papenguar të komunave
Katër kryetarë komunash nga veriu i Kosovës kanë zhvilluar sot bisedime me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Anu Pratipati, të cilës i kanë paraqitur problemet me të cilat përballen dhe kanë theksuar se është e domosdoshme të sigurohen kushtet për funksionimin e papenguar të komunave.
Gjatë takimit në Mitrovicën e Veriut, kryetarët e komunave kanë vënë në dukje problemet e shumta dhe serioze me të cilat përballen vetëqeverisjet lokale serbe në veri në funksionimin e përditshëm, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Ata kanë theksuar se është e nevojshme të ndërmerren urgjentisht hapa konkretë për të siguruar kushtet për punë normale dhe të papenguar të komunave, respektimin e të drejtave të popullit serb dhe deeskalimin e situatës në terren.
Veçanërisht është theksuar problemi që paraqet zbatimi i paralajmëruar i ligjit për të huajt dhe vendimi për automjetet, ndërsa nga përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane është kërkuar ndihmë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila, siç paralajmëruan kryetarët e komunave, mund të ketë pasoja serioze për jetën e përditshme të qytetarëve.
Kryetarët e komunave kanë theksuar se prioritet i tyre është ruajtja e paqes dhe përmirësimi i pozitës së të gjithë qytetarëve dhe se, siç thanë, do të punojnë me përkushtim në këtë drejtim.
Në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së thuhet se Pratipati ka shprehur pritjen për një administratë transparente dhe efikase, si dhe për ofrimin e drejtë të shërbimeve.
“E ngarkuara me punë Anu Pratipati u takua sot me katër kryetarët e sapoemëruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile serbe në veri të Kosovës. Ajo theksoi pritjet e SHBA-së për një administratë transparente dhe efikase, ofrim të drejtë të shërbimeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet e sigurisë publike të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim.
komentet