Kurti: Është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat me BE

Aljbin Kurti na samitu
Burim: Facebook/Aljbin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi para fillimit të Samitit të Liderëve në kuadër të Procesit të Berlinit në Miloçer se është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat me BE-në, duke paralajmëruar se këtë çështje do ta ngrejë edhe në takimin e sotëm.

Kurti falënderoi Malin e Zi si vend pritës, si dhe Gjermaninë që, siç tha, ruan besimin në këtë proces dhe i mban integrimet evropiane lart në agjendë.

Sipas tij, Kosova ka funksionalitet demokratik, stabilitet institucional dhe shënon rritje ekonomike, prandaj konsideron se është koha që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim dhe të hapë negociatat me BE-në.

“Do ta ngre këtë temë edhe sot. Do t'u bëj thirrje të gjithë liderëve sot, ashtu si çdo ditë, që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian për këtë çështje”, tha Kurti.

Ai shtoi se duhet të rikujtojnë Samitin e Londrës të vitit 2018 dhe detyrimet e marra përsipër atëherë, veçanërisht atë që lidhet me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ai përsëriti se në Kosovë vazhdojnë kërkimet për më shumë se 1.500 persona të zhdukur, ndërsa përmendi edhe zhvarrosjen e fundit të 23 trupave në komunën e Zubin Potokut.

“Kohët e fundit, në një komunë në veri, në Zubin Potok, kemi zhvarrosur 23 trupa – mbetjet mortore të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”, tha Kurti.

Ai deklaroi se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, sundimit të ligjit, punësimit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë, si dhe se “ia ka mbyllur dyert Kremlinit”.