Lavrov me Daçiqin: Rusia do ta mbështesë zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me interesat e Serbisë
Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Federatës Ruse, Sergej Lavrov, i cili përsëriti qëndrimin parimor të Rusisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, duke theksuar se pala ruse do të mbështesë zgjidhjen e çështjes së Kosovës në përputhje me interesat e Serbisë dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Daçiq dhe Lavrov theksuan përkushtimin ndaj politikës që udhëhiqet nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin, me qëllim zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, si dhe shprehën kënaqësinë për marrëveshjen e arritur mes presidentëve në fushën e energjisë.
Daçiq falënderoi Rusinë për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e punëve të brendshme dhe situatave emergjente dhe shprehu bindjen se ai do të jetë edhe më i suksesshëm në periudhën e ardhshme, i bazuar në themelet e partneritetit strategjik, miqësisë shumë shekullore, afërsisë së popujve vëllazërorë, bashkëpunimit të zhvilluar në të gjitha fushat, si dhe mbështetjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Dy ministrat shprehën bindjen e fortë se do të takohen në rastin e parë të mundshëm, ndërsa Daçiq falënderoi Lavrovin për letrën e mbështetjes gjatë kohës kur ndodhej në njësinë e kujdesit intensiv të Qendrës Klinike të Serbisë.
Ai shtoi se fjalët e mbështetjes dhe besimit të fortë të Lavrovit se në momentet e vështira energjia e pashtershme dhe forca shpirtërore do ta ndihmonin të kapërcente sëmundjen dhe të kthehej në radhët e patriotëve të vërtetë të vendit të tij, përbënin një nxitje të madhe në procesin e rikuperimit.
0 komentet