Lista Serbe: Dënojmë më të ashpër incidentet në Suhodoll, prezenca e forcave ndërkombëtare në veri duhet të rritet
Lista Serbe dënoi ashpër serinë e incidenteve në fshatin Suhodoll, afër Mitrovicës e Veriut, që shqetësoi banorët e atij vendbanimi, por edhe të gjithë serbët në Kosovë.
“Pas vandalizmit në ambientet e klinikës së fshatit, sot në mëngjes është përdhosur edhe kisha e Shën Petkës, në ditën kur në atë faltore kremtohet lavdia e fshatit Shën Petka Tërnova. Prej muajsh kemi thënë se retorika antiserbe dhe gënjeshtra kundër serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe do të nxisin dhunë ndaj popullit tonë dhe vendeve tona të shenjta dhe pikërisht këtë po e shohim”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Ata kujtojnë se kanë paralajmëruar për atë që po shihet tani.
"Tani që jemi dëshmitarë të atyre sulmeve, nuk ka asnjë reagim nga institucionet e Kosovës apo përfaqësuesit ndërkombëtarë. Për më tepër, disa zyrtarë ndërkombëtarë, duke thënë gënjeshtra brutale, padyshim kanë kontribuar në sulmin ndaj serbëve dhe kishës ortodokse serbe", thuhet në deklaratë.
Ata theksojnë se në emër të popullit serb që është i përkushtuar për paqe, dialog dhe tolerancë, kërkojnë shtimin e pranisë së forcave ndërkombëtare, KFOR-it dhe EULEX-it, në veri të Kosovës, sidomos në vendet ku deri më tani kanë ndodhur dhjetëra sulme ndaj serbëve.
“Pasiviteti i tyre është absolutisht kundërproduktiv, nga njëra anë u dërgon mesazh serbëve se nuk janë të interesuar t'i mbrojnë ata, dhe nga ana tjetër sulmuesve se serbët janë lënë në mëshirën e tyre, gjë që krijon një atmosferë mosndëshkimi për krimet kundër serbëve, kështu që mund të priten sulme të reja”, ka bërë të ditur nga Lista Serbe.
komentet