Lista Serbe: Qytetarët I thanë qartë “jo” urave të ndarjes së Kurtit
Lista Serbe ka njoftuar opinionin publik se është përfunduar me sukses mbledhja e nënshkrimeve për peticionin kundër ndërtimit të urave të Kurtit mbi lumin Ibër, të cilat populli serb me të drejtë i sheh si simbol imponimi, përçarjeje dhe provokimi, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Siç theksojnë ata, për vetëm 11 orë, sa zgjati mbledhja e organizuar e nënshkrimeve, 3.628 qytetarë kanë mbështetur me nënshkrimin e tyre qëndrimin e qartë kundër kësaj vendimi arbitrar dhe të njëanshëm të Prishtinës.
„Ky numër i madh nënshkrimesh për një kohë kaq të shkurtër përbën një sinjal të fuqishëm dhe të qartë – populli është kundër imponimit dhe politikës së forcës. Lista Serbe falënderon sinqerisht të gjithë qytetarët që treguan përgjegjësi, unitet dhe gatishmëri për të mbrojtur qytetin e tyre, komunitetin e tyre dhe të drejtën që të konsultohen për vendimet që prekin jetën e tyre“, thuhet në njoftim.
Siç shtojnë ata, peticioni do të dorëzohet zyrtarisht në ditët në vijim përfaqësuesve të vendeve të Quint-it, misionit të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe UNMIK-ut, së bashku me një kërkesë për: një reagim të menjëhershëm dhe të qartë ndaj sjelljes së institucioneve të Prishtinës, ndërprerjen e ndërtimit të urave pa konsultim me popullin serb, dhe respektimin e parimeve themelore demokratike dhe ndërkombëtare ligjore.
„Populli serb nuk është kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por është kundër vendimeve që merren pa të dhe kundër një politike që synon të fshijë ekzistencën e tij në këto hapësira“, përfundon Lista Serbe.
komentet