Lluniq: Zgjerimi i aleancës ushtarake të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës është rrezik real për Serbinë

Nikola Lunić
Burim: Kosovo Online

Konsulenti në fushën e gjeopolitikës dhe sigurisë, Nikolla Lluniq, ka vlerësuar se pavarësisht se deklarata për bashkëpunim ushtarak mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës në thelb përfaqëson një “letër pa përmbajtje”, zgjerimi i mundshëm me Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë do të përbënte një rrezik real për Serbinë.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia planifikojnë që blerja e kapaciteteve mbrojtëse nga SHBA të jetë detyrimi i parë konkret nga deklarata e nënshkruar më 18 mars në Tiranë.

Lluniq thotë se, pavarësisht se kjo marrëveshje është një “letër pa përmbajtje”, synimi i saj është përpjekja për lobim të përbashkët në Uashington.

“Deklarata është një letër pa përmbajtje që shprehimisht thekson se vendet nënshkruese nuk kanë absolutisht asnjë detyrim ndaj njëra-tjetrës, ndërsa vetë Deklarata nuk mund të ndikojë në detyrimet ndërkombëtare në lidhje me këto vende. Për rrjedhojë, edhe kjo nismë është pa përmbajtje”, thotë Lluniq.

Duke komentuar synimin për blerjen e përbashkët të armatimit nga SHBA, ky ekspert kujton se Kroacia tashmë e bën këtë me blerjen e automjeteve luftarake “Bradley”, e raketës “HIMARS” dhe helikopterëve

“Black Hawk”, ndërsa njësoj vepron edhe Kosova me porositë e raketave “Javelin” dhe helikopterëve “Black Hawk”.

Megjithatë, ai thekson se thelbi i këtij synimi qëndron në përpjekjen për lobim të përbashkët në Uashington.

“A do të arrijnë ata t’i bashkojnë këto blerje për të marrë një çmim më të favorshëm? Nuk duket shumë e mundshme. Por, pyetja është edhe se sa e suksesshme do të jetë kjo. Megjithatë, ajo që është shumë e rëndësishme është se për momentin kjo u shërben atyre si mjet lobimi në SHBA”, është i bindur Lluniq.

Ai saktëson se me blerje të tilla armësh nuk mund të “ndryshohet lehtë raporti i fuqisë ushtarake” në rajon, por se për Serbinë shumë më e rëndësishme është perceptimi i ardhshëm i SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor.

“SHBA e percepton Ballkanin Perëndimor si rajon ku pengohet menaxhimi efektiv dhe integrimi në institucionet euroatlantike. Shprehimisht theksohet se kjo paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA”, nënvizon Lluniq.

Ai paralajmëron se për Serbinë do të ishte një rrezik real nëse kësaj aleance ushtarake do t’i bashkoheshin Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Një skenar i tillë, thotë ai, nuk do të ishte befasi.

“Nuk duhet të çuditemi nëse kësaj nisme i bashkohen Maqedonia e Veriut dhe Turqia. Në këtë kontekst, nëse kjo nismë do të zgjerohej më tej, ajo do të mund të përbënte një rrezik real për Serbinë. Për momentin, ajo nuk është e tillë”, thekson Lluniq.

I pyetur se si duhet parë roli i Kosovës, e cila nuk është as në NATO dhe as në Partneritetin për Paqe, Lluniq thotë se do të kishte një "precedent të madh" nëse do të kishte një ndryshim dhe Prishtina do të bëhej një vend partner ose aleat i NATO-s.

"Një precedent vërtet i madh do të krijohej nëse Kosova do të pranohej në NATO ose në ndonjë strukturë tjetër sigurie në këtë moment. Megjithatë, nuk duhet injoruar perceptimi i zhvillimit të ardhshëm të situatës gjeopolitike. Nëse Serbia mbetet e bllokuar në një neutralitet ushtarak të imponuar, të detyruar, atëherë mund të presim një kërcënim për sigurinë kombëtare. Në fund të fundit, nuk është e vështirë të lobosh në SHBA nëse politika e sigurisë reduktohet në strategjinë e sigurisë kombëtare", beson Lluniq.