Mazreku: Bashkëpunimi i Kosovës me vendet anëtare të NATO-s nuk paraqet rrezik për fqinjët
Profesori i së drejtës evropiane nga Prishtina, Avni Mazreku, ka vlerësuar se bashkëpunimi i Kosovës me vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, nuk paraqet rrezik për fqinjët dhe se armatosja është në përputhje me synimin për anëtarësim në Aleancën Perëndimore.
“Çdo lloj bashkëpunimi i Kosovës në kuadër të NATO-s nuk përbën kurrfarë rreziku për fqinjët, pasi Kosova është në procesin e përgatitjes për anëtarësim në NATO. Çdo sistem që blihet nga vendet anëtare të NATO-s shkon në atë drejtim. Po të kishte Kosova një kontratë për blerjen e armëve nga Kina, siç ka Serbia, kjo do të na tregonte se ai shtet nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e NATO-s”, ka deklaruar Mazreku për Kosovo online.
Ai shpjegon se çdo vend anëtar i NATO-s, por edhe shtetet që synojnë të bëhen pjesë e kësaj aleance, duhet të përmbushin kritere dhe kushte të caktuara lidhur me blerjen e llojeve të caktuara të armatimit dhe sistemeve luftarake.
Pikërisht për këtë arsye, Kosova po blen armatim nga vendet anëtare të NATO-s: Shqipëria, Kroacia, Gjermania dhe SHBA.
“Të gjitha këto blerje që po ndodhin kohët e fundit janë në funksion të përgatitjes së shtetit për anëtarësim në NATO, e jo për shkak të tendencave agresive ndaj vendeve të tjera. NATO nuk është një organizatë ofanzive, por mbrojtëse. Mbrojtja kolektive në nenet 4 dhe 5 flet për solidaritetin e vendeve anëtare në mbrojtje. Neni 5 merret me mbrojtjen kolektive dhe thotë se nëse një vend anëtar kërcënohet, atëherë aktivizohet ky nen”, shpjegon Mazreku.
Ai shton se Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por e justifikon këtë si një "problem politik" sepse disa nga vendet nuk e njohën pavarësinë e Kosovës.
"Kjo e bën të pamundur që Kosova të bashkohet me NATO-n nga një aspekt politiko-formal, por Kosova është pjesë e çdo organizate ushtarake që lidhet me fuqitë e NATO-s në rajon. Kapacitetet ushtarake të Kosovës janë të drejtuara në këtë drejtim. Çdo projekt ku Kosova është pjesëmarrëse në operacione ushtarake dhe blerja e sistemeve të armëve në mënyrë që të jetë në përputhje me sistemin e NATO-s janë pikërisht hapat për t'u përgatitur për t'u bashkuar me NATO-n", thekson Mazreku.
0 komentet