LS me Rajfenshtulin: Prishtina të ndalojë veprimet e njëanshme, policia si ekspeditë ndëshkuese ndaj serbëve
Kryetari i Listës Serbe, dr. Zllatan Ellek, dhe nënkryetari Igor Simiq, u takuan sot me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, të kryesuar nga shefi i Departamentit për Ballkanin Perëndimor, Majkëll Rajfenshtulin, në prani të ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rode.
Siç thuhet në njoftim, në takim është biseduar për shumë probleme me të cilat përballet populli serb në Kosovë, duke përfshirë nevojën e menjëhershme për t’i dhënë fund veprimeve të njëanshme të institucioneve të përkohshme në Prishtinë, për të ndaluar procedurat me motive politike dhe arrestimet arbitrare të serbëve, për të ndalur shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe, mbi të gjitha, për të formuar urgjentisht Bashkësinë e Komunave Serbe (BKS) në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe me respektimin konsekuent të të gjitha obligimeve të marra nga dialogu.
Gjatë bisedës u theksua veçanërisht se policia po vepron si një “ekspeditë ndëshkuese” ndaj serbëve, dhe se ngjarja e djeshme në fshatin Vuçë, kur pjesëtarët e policisë kanë përdorur armë zjarri pa asnjë arsye, konfirmon se tejkalimi i autorizimeve ndaj serbëve është bërë dukuri e rregullt.
Përfaqësuesit e Listës Serbe theksuan se për stabilitetin dhe paqen është me rëndësi kyçe që të ndalen presionet dhe diskriminimi ndaj popullit serb dhe që çështjet e hapura të zgjidhen ekskluzivisht përmes dialogut dhe në përputhje me obligimet ndërkombëtare të marra.
0 komentet