Macinka: Mund të kishim vepruar më me kujdes rreth njohjes së Kosovës, qeveria çeke iu nënshtrua presioneve
Shefi i diplomacisë çeke, Petr Macinka, deklaroi në Pragë pas takimit me ministrin e jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, se Çekia para pothuajse 20 vitesh e njohu pavarësinë e Kosovës nën njëfarë presioni, por se tani nuk do të bëjë gjeste teatrale dhe se zgjidhja më e mirë për të gjithë do të jetë ajo për të cilën bien dakord serbët dhe shqiptarët.
Si fajtorë kryesorë për faktin që qeveria konservatore çeke e asaj kohe, e kryeministrit Mirek Topolanek, e njohu pavarësinë e Kosovës, ndonëse presidenti i atëhershëm çek Vaclav Klaus ishte fuqishëm kundër, Macinka përmendi sot ish-ministrin e jashtëm, princin Karel Schwarzenberg, dhe ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright.
“Mendoj se qeveria e atëhershme iu nënshtrua disa presioneve, ndoshta edhe disa lidhjeve që Schwarzenberg kishte me Madeleine Albright, e cila kishte interes të madh në Kosovë. Qeveria mund të kishte vepruar më me kujdes atëherë, por ne tani nuk duam t’i japim kësaj ndonjë dinamikë të re, nuk duam të bëjmë lëvizje teatrale apo të papritura”, tha Macinka.
Ministri çek tha se beson që çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me kompromis dhe i bëri thirrje Beogradit zyrtar të mos dëgjojë “këshilla të mençura” nga jashtë, sepse, sipas tij, nëse çekët dhe sllovakët, gjatë shpërbërjes së shtetit të tyre, do të kishin dëgjuar këshillat e të huajve, nuk do të ishin ndarë kurrë në mënyrë kaq miqësore.
“Zgjidhja më e mirë është gjithmonë ajo që e arrijnë vetë dy palët”, tha Macinka, duke theksuar se edhe në bisedën me Gjuriqin vetëm ka konfirmuar se Çekia dhe ai personalisht kanë mirëkuptim për argumentet e palës serbe në çështjen e Kosovës.
0 komentet