Shiroka Pula vendosi t'ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim Ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vendosur t'ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim Ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në njoftimin e Presidencës së Kosovës thuhet se presidentja Shiroka Pula ka pranuar sot propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si propozues i ligjit, që Kuvendit t'i jepet mundësia ta rishqyrtojë ligjin, veçanërisht dispozitat që kanë të bëjnë me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që gjykohen para këtyre dhomave.
“Duke arsyetuar vendimin, presidentja Shiroka Pula theksoi sakrificën, përkushtimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ajo gjithashtu rikujtoi mbështetjen e saj për Deklaratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës të 28 shtatorit 2026, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në njoftim.
Shiroka Pula, siç shtohet, përsëriti qëndrimin e saj kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës historike për Kosovën, “vënien në pikëpyetje të karakterit çlirimtar të luftës apo barazimin e njerëzve që luftuan për liri dhe mbijetesë me regjimin që i shtypte ata”.
“Duke arsyetuar vendimin, presidentja bëri të ditur se ka zhvilluar dhe po vazhdon konsultimet me përfaqësuesit e institucioneve dhe subjekteve përkatëse shtetërore, me qëllim të koordinimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe konfirmimin e së vërtetës historike për luftën çlirimtare të Kosovës dhe rolin e UÇK-së, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të udhëheqësve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës u miratua në lexim të dytë më 6 tetor, me 88 vota “për”. Më pas, në të njëjtën seancë, deputetët zgjodhën Justina Shiroka Pulën presidente të re të Kosovës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës sot, përmes një shkrese zyrtare, i kërkoi presidentes së Kosovës që t'ia kthejë Kuvendit për rishqyrtim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.
0 komentet