Macut dhe Gashiq vizituan pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në Zonën Tokësore të Sigurisë
Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, dhe ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, vizituan sot pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në Zonën Tokësore të Sigurisë. Vizita filloi në bazën “Karaula”, ndërsa më pas, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsilloviq, vizituan ushtarët e angazhuar në bazën “Merdare”.
Siç bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes, gjatë vizitës kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes biseduan me pjesëtarët e angazhuar të ushtrisë dhe u njohën me detyrat që ata kryejnë në zonën e tyre të përgjegjësisë, si dhe me situatën aktuale në terren.
Atyre iu prezantuan edhe objektet e rikonstruktuara – kapacitetet e akomodimit dhe infrastruktura përcjellëse – të cilat kanë përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për pjesëtarët e ushtrisë të angazhuar në bazat “Karaula” dhe “Merdare”.
Gashiq shprehu mirënjohjen e tij ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë për punën profesionale në Zonën Tokësore të Sigurisë, duke theksuar se rindërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës ushtarake përfaqësojnë investim në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për ushtarët që çdo ditë kryejnë detyrat më të përgjegjshme.
“Pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë në Zonën Tokësore të Sigurisë çdo ditë, pa ndërprerje dhe në kushte të ndërlikuara, kryejnë detyra me rëndësi të madhe për sigurinë e qytetarëve dhe ruajtjen e paqes në këtë pjesë të vendit. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre na obligojnë që të vazhdojmë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës në baza. Infrastruktura moderne, akomodimi më cilësor dhe kushtet më të mira të punës mbeten një nga prioritetet tona, sepse njerëzit janë forca më e madhe e sistemit të mbrojtjes”, tha Gashiq.
Vizitës së pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë në Zonën Tokësore të Sigurisë i morën pjesë edhe komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralmajor Zoran Naskoviq, shefi i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Vladan Millosavleviq, shefi i Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, gjeneral brigade Nikolla Matoviq, zëvendëskomandanti i Brigadës së Tretë të Forcave Tokësore, kolonel Branisllav Stevanoviq, si dhe shefi i Drejtorisë për Infrastrukturë, nënkolonel Millosh Peruniçiq.
U vendos kurorë lulesh në monumentin e pjesëtarëve të ushtrisë të rënë gjatë agresionit të NATO-s në Kurshumli
Macut, i shoqëruar nga ministri Gashiq dhe gjenerali Mojsilloviq, vendosi një kurorë lulesh pranë memorialit në kazermën “Topliçki Ustanak” në Kurshumli.
Me këtë rast u theksua se kujtimi për pjesëtarët e rënë të Ushtrisë së Serbisë përbën një detyrim të përhershëm të shtetit dhe të popullit, si dhe se Serbia do të vazhdojë të kultivojë kulturën e kujtesës dhe me respekt të veçantë të ruajë kujtimin për të gjithë ata që dhanë jetën për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Ceremonisë, e organizuar në kujtim të pjesëtarëve të Brigadës së 354-të të Këmbësorisë, të cilët humbën jetën gjatë agresionit të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, i morën pjesë edhe shefi i Drejtorisë Operative (J-3) të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneral brigade Vladan Millosavleviq, shefi i Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, gjeneral brigade Nikolla Matoviq, dhe zëvendëskomandanti i Brigadës së Tretë të Forcave Tokësore, kolonel Branisllav Stevanoviq.

0 komentet