Marinkoviq: Çdo gjë që tha Kelmendi për Reçakun është gënjeshtër, kurrë nuk jam takuar me të

Danica Marinković
Burim: Kosovo Online

Gjyqtarja hetuese në rastin Reçak, Danica Marinkoviq, deklaroi për Kosovo online se pretendimet se ajo ka shkatërruar prova në lidhje me këtë hetim janë të pavërteta, gjë që dje, në konferencën për media pas dëshmisë së tij para Prokurorisë Speciale, i ka thënë tashmë ish-zëvendëskryeprokurori Besim Kelmendi.

Marinkoviq tha se e vetmja gjë e vërtetë që Kelmendi ka thënë për të është se ata kurrë nuk janë takuar dhe as kanë punuar së bashku.

“Gjithçka që ka thënë është gënjeshtër, turp. Dosjet e lëndës dhe provat për Reçakun ekzistojnë. Lënda ekziston nga faqja e parë deri te faqja e fundit. Kopjet e lëndës i kam marrë me vete, madje e kam edhe librin për këtë. Të gjitha dosjet e lëndëve të mia, përfshirë edhe atë të Reçakut, i kanë marrë më 12 qershor 1999 shqiptarët kur hynë në zyrat e gjykatës. Dyshoj se ata i kanë shkatërruar”, tha Marinkoviq në një deklaratë telefonike për portalin tonë.

Ajo shtoi se Kelmendin nuk e ka takuar kurrë dhe as ka punuar me të.

“Nuk e di ku ai ka qenë gjatë luftës, as çfarë ka bërë. Unë gjatë luftës kam qenë gjyqtare hetuese, i kam njohur të gjithë njerëzit dhe jam marrë me hetimet e mia. Në gjykatë kryesisht punonin serbë, shqiptarët e bojkotuan punën e gjykatës në atë kohë”, sqaroi Marinkoviq.

E pyetur pse tani po aktualizohet përsëri rasti Reçak, Marinkoviq përgjigjet se ai rast është i pastër si loti.

“Ose nuk kanë çfarë të bëjnë, ose po merren me këtë pa arsye. Reçaku është i pastër si loti. Që nga dita e parë po e them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për Reçakun. William Walker ka thënë një gënjeshtër të turpshme se në Reçak ka ndodhur masakër ndaj fshatarëve shqiptarë, se viktimave u mungonin pjesë trupi... Aty kanë vdekur terroristë. Reçaku ka qenë një aksion legal dhe legjitim i Ushtrisë së Serbisë, dhe të gjitha trupat kanë pasur plagë të shkaktuara nga armë zjarri dore, gjë që tregon se nuk ka pasur masakër. Tre herë në kuadër të hetimit kemi hyrë në shtëpitë e banorëve, aty kemi gjetur tonelata armësh, çka vetëm e vërteton atë që thashë më parë,” tha Marinkoviq.

Le të kujtojmë se ish-ushtrues detyre si Kryeprokuror i Kosovës, Besim Kelmendi, i cili u shkarkua sot, dha dje një deklaratë në Prokurorinë Speciale si dëshmitar, në lidhje me hetimin e rastit të Reçakut.

Kelmendi tha në konferencën për shtyp se i kishte thënë prokurorit se nuk kishte qenë kurrë në Reçak para vitit 2001 dhe se kundër tij po përhapeshin të pavërteta, dhe se ai e kishte ndihmuar UÇK-në gjatë luftës. Në konferencë, ai përmendi gjithashtu se "Danica Marinkoviq ishte një gjyqtare që mori pjesë në grabitjen e të gjitha lokaleve përreth gjykatës, e cila gjithashtu shkatërroi provat e masakrës në Reçak, ku ajo kreu një hetim në vendngjarje".