Mazreku: Kosova në samitin Bërdo-Brioni tregoi përkushtimin për BE-në, por ende është larg anëtarësimit

Avni Mazreku
Burim: Kosovo Online

Profesori i së drejtës evropiane në Universitetin e Prishtinës, Avni Mazreku, deklaroi për Kosovo online se, edhe pse tema kryesore e samitit të djeshëm të Procesit Bërdo-Brioni në Durrës ishte përshpejtimi i integrimeve evropiane, çështja e Kosovës vazhdon të mbetet e hapur dhe e pazgjidhur.

Mazreku shpjegon se vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të njihen nga të gjitha shtetet anëtare, pasi procesi i vendimmarrjes në BE, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme dhe zgjerimit, funksionon mbi parimin e unanimitetit.

“Në këtë rast kjo do të thotë se asnjë shtet që nuk e ka njohur Kosovën nuk mund të ratifikojë marrëveshjen për anëtarësimin e saj, gjë që mbetet një çështje kyçe dhe e hapur. Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që janë në proces dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, SHBA-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, situata është dukshëm më stabile. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Shqipërisë dhe Malit të Zi, nuk përbëjnë pengesë për rajonin, sepse kriteri i marrëdhënieve të mira fqinjësore në këto raste është duke avancuar. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë arritur përparim të konsiderueshëm në rrugën e integrimeve evropiane”, tha Mazreku.

Duke komentuar deklaratën e presidente­s së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas samitit Bërdo-Brioni në Durrës vlerësoi se Kosova do të ishte shumë afër anëtarësimit në BE nëse procesi i zgjerimit do të bazohej vetëm në merita, Mazreku kujton se Kosova ende nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa njohjen nga pesë shtetet e mbetura anëtare.

“Nëse përpiqemi ta interpretojmë deklaratën e zonjës Osmani, mendoj se ajo shkon në drejtim të asaj që populli i Kosovës konsiderohet ndër popujt më pro-evropianë, duke u krahasuar me vendet anëtare të BE-së. Pra, qytetarët e Kosovës në shumë sondazhe kanë votuar mbi 90 për qind për anëtarësimin në BE. Qeveria e Kosovës në asnjë rrethanë nuk i është kundërvënë politikave të BE-së. Për këtë arsye, Kosova konsiderohet pro-evropiane. Kosova dëshiron të anëtarësohet në BE dhe nuk kundërshton politikat e saj sa i përket organizimit të brendshëm politik, ekonomik dhe juridik. Në këtë kontekst, deklarata e presidente­s Osmani tregon se Kosova, për nga vlerat dhe orientimi, është afër BE-së, por jo edhe në kuptimin formal të përparimit në procesin e anëtarësimit,” përfundoi Mazreku.