Mbrojtja e të akuzuarve në rastin Banjskë: Dëshmitari vetëm përshkroi ngjarjen, nuk përmendi të akuzuarit

Advokatica Jovana Filipović
Burim: Kosovo Online

Avokatët mbrojtës të tre të akuzuarve në rastin Banjskë – Dushan Maksimoviq, Vladimir Tolliq dhe Blagoje Spasojeviq – që po zhvillohet para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vlerësuan se dëshmitari i sotëm vetëm përshkroi ngjarjen dhe nuk tha asgjë konkrete lidhur me ndonjërin nga të akuzuarit, prandaj mbrojtja dhe të akuzuarit nuk patën pyetje për të.

Avokati i të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Ljubomir Pantoviq, theksoi se sot ka filluar procedura e shqyrtimit të provave në rastin Banjskë dhe se dëshmitari i parë, A. R., foli në mënyrë të përgjithshme për ngjarjen e 23 shtatorit 2023.

„Nuk tha asgjë konkrete lidhur me ndonjërin nga të akuzuarit, prandaj as ne nga mbrojtja nuk patëm pyetje. Mendoj se edhe dëshmitarët e ardhshëm do të dëshmojnë në të njëjtën mënyrë, do të shohim. Dëshiroj të përsëris vlerësimin që kam dhënë edhe në deklaratën hyrëse – se aktakuza është e përgjithshme, një përshkrim i përgjithësuar, pa përshkruar asnjë veprim konkret të asnjërit nga tre të akuzuarit, gjë që e bën këtë aktakuzë shumë të mangët dhe, do të thosha, një aktakuzë të dobët“, deklaroi Pantoviq.

Ai theksoi se mendon që as dëshmitarët e ardhshëm nuk do të thonë asgjë për të akuzuarit.

„Dyshoj që ndonjëri prej tyre do të thotë diçka kundër të akuzuarve, sepse do të duhet të shpjegojë pse nuk e ka thënë këtë herën e parë. Kështu që dëshmitë do të jenë identike edhe në ditët në vijim“, tha Pantović.

Avokatja e Dushan Maksimoviqit, Jovana Fillipoviq, theksoi se dëshmitari i sotëm nuk ishte në gjendje të identifikonte askënd.

„Dëshmitari përshkroi një ngjarje konkrete dhe tha atë që ai e dinte. Natyrisht, pamë edhe përpjekjen e prokurorit për të nxjerrë një përfundim nga dëshmitari, por trupi gjykues reagoi dhe nuk lejoi përgjigjen për atë pyetje. Konkretisht, sa i përket Dušanit, dëshmitari deklaroi se nuk ishte në gjendje të identifikonte askënd, prandaj ne si mbrojtje nuk kishim asnjë pyetje për të“, tha Fillipoviq.

As ajo nuk pret që dëshmitë e dëshmitarëve të ardhshëm të ndryshojnë nga ajo e sotmja.

„Të gjithë dëshmitarët që janë propozuar për këtë javë dhe që pritet të dëgjohen, nuk kanë njohuri konkrete për personat e akuzuar. Prandaj, nuk presim që do të marrim ndonjë informacion të ri përtej asaj që kemi parë në aktakuzë“, tha Fillipoviq.

Ajo përsëriti se Maksimoviq nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen konkrete.

„Duke marrë parasysh gjithçka që kemi theksuar deri më tani se Dushan është arrestuar më vonë, dhe se kemi dëshmitarë që do ta konfirmojnë alibinë e tij, që ai nuk ka lidhje me ngjarjen konkrete, shpresoj që trupi gjykues do t’i vlerësojë drejt të gjitha faktet në këtë çështje dhe se do të udhëhiqet nga provat dhe e vërteta materiale, e jo të japë një vendim nën presionin e mediave dhe opinionit publik“, tha Fillipoviq dhe shtoi se beson që procesi gjyqësor do të zgjasë shumë, duke pasur parasysh numrin e dëshmitarëve.

Avokati Millosh Delleviq, përfaqësues i Vladimir Toliqit, theksoi se dëshmitari nuk i ka përmendur të akuzuarit dhe se për këtë arsye mbrojtja nuk ka pasur pyetje për të.

“Është dëgjuar viktima e parë në këtë rast, ka dhënë një deklaratë të përgjithshme për ngjarjet e asaj dite, nuk e ka përmendur të akuzuarin, kështu që nuk kemi pasur pyetje për të. Shqyrtimi gjyqësor vazhdon me dëgjimin e viktimave tjera në këtë rast, i cili do të zhvillohet pasdite dhe gjatë gjithë javës”, tha Delleviq.

Më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti padi ndaj 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiq, me dyshimin se ishin pjesë e një grupi të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës në qytetin e Banjskës në shtator 2023.

Dushan Maksimoviq, Vladimir Tolilq dhe Blagoje Spasojeviq u arrestuan menjëherë pas ngjarjeve në Banjska parvjet dhe që atëherë kanë qenë në paraburgim. Gjykimi i tyre filloi më 9 tetor.

Spasojeviq akuzohet për dy krime - një sulm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës dhe kryerjen e një akti terrorist. Dushan Maksimoviq u akuzua për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit, ndërsa Vlladimir Tolliq u akuzua nga Prokuroria e Kosovës për "kryerjen e një akti terrorist".

Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata Themelore në Prishtinë hodhi poshtë propozimin për gjykim në mungesë kundër 42 të pandehurve në këtë rast me sqarimin se për këta persona janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare, dhe siç u tha, pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për procedurat kundër tyre.