Menash: Ne e përkrahim hyrjen e Serbisë në BE, por jo pa Kosovën
Kryetarja e grupit parlamentar të miqësisë franko-serbe, Jael Menash, deputete e partisë Mbledhja Kombëtare Franceze, ka deklaruar se përkrah hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por jo pa Kosovën, transmeton Politika.
“Ne mbështesim hyrjen e Serbisë në BE, por jo pa Kosovën, e cila për ne është krahinë e Serbisë”, ka thënë Menash në një intervistë për gazetën e sotme Politika, duke theksuar se lëvizja e saj ka qëndrim se Serbia dhe Kosova janë të pandashme.
E pyetur se çfarë mendon për planin e presidentit francez Emanuel Makron dhe kancelarit gjerman Olaf Shollz për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Menash u përgjigj se nuk pret asgjë nga ai plan, sepse ai beson se “çdo qasje që legjitimon Kosovën si shtet të pavarur legjitimon edhe vuajtjet e popullit serb nga shqiptarët”.
“E di që shumë gjëra janë nënshkruar para 10 vitesh dhe asgjë nuk është respektuar, do të mbështesja planet e reja, por besoj se duhet respektuar ajo që është premtuar 10 vite më parë. Personalisht, por edhe si anëtare e kësaj partie, nuk pres shumë nga ai plan”, tha ajo.
Ajo tha se marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Francës nuk janë në kulmin e tyre dhe se gjithmonë mund të bëjnë më shumë dhe më mirë.
“Kjo është edhe një nga dëshirat e lideres së grupit tonë, Marin Le Pen, që të thellohen marrëdhëniet serbo-franceze”, tha ajo dhe shtoi se do të punohet për këtë.
Siç tha Menash, roli i kryetarit të grupit të miqësisë me Serbinë është të thellojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Që populli francez të njohë kulturën, historinë dhe identitetin tuaj dhe kjo miqësi të thellohet përmes organizimit të eventeve të ndryshme”, shtoi ajo.
Menash tha se duhet punuar për këtë sidomos me popullatën më të re franceze, por edhe me diasporën serbe, në mënyrë që opinioni francez të njihet më mirë me kulturën serbe, e cila nuk është aq e njohur për francezët.
Ajo theksoi se lidhja me diasporën serbe në Francë është ruajtur dhe se në Paris ka shoqata të shumta.
"Kjo është një nga detyrat që kam si kryetare e grupit të miqësisë. Ka shumë ngjarje të organizuara nga diaspora serbe," shtoi ajo.
Ajo ka shtuar se më 28 qershor ka marrë pjesë në përkujtimoren në varrezat ushtarake serbe në Paris.
“Serbët vuajtën në zona të caktuara edhe më shumë se hebrenjtë”, theksoi ajo.
0 komentet