Millenkoviq: Osmani simbol i një mundësie të humbur politike
Mandati i Vjosa Osmanit gjatë katër viteve të fundit është pasqyruar nga politika e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria e Albin Kurtit. Nga ajo nuk kemi dëgjuar qëndrime kritike ndaj këtyre politikave, dhe nuk ka pasur ndonjë përfshirje të madhe të Vjosa Osmanit në çështjet e brendshme në Kosovë. Përkundrazi, fokusi i saj ka qenë kryesisht në përfaqësimin e Kosovës në ngjarje të komunitetit ndërkombëtar, thotë Marko Millenkoviq nga OJQ “Nisma e Re Shoqërore” për Kosovo online.
“Krijohet përshtypja se Vjosa Osmani fitoi një vlerësim më të mirë dhe një imazh më të mirë në krahasim me Albin Kurtin, i cili në periudhën paraprake, mesa duket e izoloi Kosovën po ashtu edhe veten e tij, ndaj Vjosa Osmani vetëm aty gjeti dallim, në qasjen e saj ndaj ndërkombëtarëve. Të krijohet përshtypja se Vjosa Osmani ishte një partnere më e pranueshme për bisedime, për një debat konstruktiv për problemet në bashkësinë ndërkombëtare, madje në këtë moment duket se bashkësia ndërkombëtare po mundohet ta pozicionojë më mirë politikisht Vjosa Osmanin”, thotë Millenkoviq.
Në planin e brendshëm, sipas vlerësimit të tij, Osmani ka humbur ndikimin politik në krahasim me vitin 2021 kur u zgjodh presidente dhe partia e saj politike në atë kohë tani është më afër Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit se sa asaj.
“Mendoj se ajo pothuajse e ka humbur plotësisht fuqinë e saj politike në pozicionimin dhe përfaqësimin politik dhe më duket se në periudhën e ardhshme do ta kemi të vështirë ta kemi në një pozicion të ngjashëm politik. Pres që në periudhën e ardhshme të përjetojë një kolaps politik dhe të tërhiqet nga poste të rëndësishme. Kur u verifikua mandati i saj presidencial në vitin 2021, në të morën pjesë partitë e pakicave, madje edhe Lista Serbe, dhe për momentin një gjë e tillë është e pamundur për shkak të të gjitha ngjarjeve që kemi pasur dhe ndryshimit të qasjes politike të të gjithë aktorëve në Kosovë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Sipas tij, nuk ka shumë specifikë për të kujtuar mandatin e kaluar të Vjosa Osmanit, përveç se në fokus ka qenë qeverisja e Albin Kurtit.
“Vjosa Osmani ishte diku mënjanë dhe duket se ekziston ndoshta boshllëku më i madh në kuptimin që pritshmëritë nga aktorët ndërkombëtarë ishin që Vjosa Osmani të pozicionohet ndryshe dhe se ka një ekuilibër në drejtim të mos kolapsit të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare. Duket se Vjosa Osmani ishte një vëzhguese e heshtur dhe se nuk e përdori ndikimin e saj politik dhe fuqinë e pozitës që përfaqësonte për të ndryshuar diçka dhe për të bërë diçka në rrafshin politik që do të regjistrohet dhe kujtohet. Kështu që mendoj se Vjosa Osmani është simbol i një rasti të humbur në kuptimin politik dhe se do ta kujtojmë vetëm për këtë”, përfundon Millenkoviq.
0 komentet