Mojsilloviq me komandantin e ri të KFOR për situatën e sigurisë në Kosovë
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Sërbisë gjeneral Millan Mojsilloviq bisedoi sot në Beograd me komandantin e KFOR gjeneral-major Roberto Vergori i cili dy ditë më parë mori detyrën, për situatën e sigurisë në Kosovë, problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet komuniteti sërb, si dhe me aktivitetet e Ushtrisë së Sërbisë dhe KFOR me synim ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.
Në bisedë u theksua rëndësia e komunikimit direkt dhe të hapur mes Ushtrisë së Sërbisë dhe KFOR në të gjitha nivelet, ndjekja e situatës në terren dhe parandalimi i eskalimit të krizës.
“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm vuri në dukje se situata e sigurisë në Kosovë e Metohi është e brishtë, se sërbët në Krahinë nuk ndjehen të sigurtë dhe se atyre u janë cënuar të drejtat themelore dhe liria. Duke theksuar se Ushtria e Sërbisë e shikon KFOR si formacionin e vetëm legjitim të armatosur në Kosovë e Metohi, nga gjenerali italian kërkoi që Forcat Ndërkombëtare të Sigurisë të zbatojnë vazhdueshmërisht dhe paanësisht mandatin e vet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara dhe të sigurojnë mjedis të sigurt dhe liri lëvizjeje, para së gjithash për sërbët në provincën tonë jugore”, bën të ditur në deklaratë Ministria e Mbrojtjes.
Mojsilloviq uroi gjeneral Vergorin për emërimin e tij në postin e ri dhe shprehu pritshmëri që gjatë kohës së mandatit të tij, bashkëpunimi i Ushtrisë së Sërbisë dhe KFOR të jetë profesional dhe në funksion të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon.
0 komentet