Milloviq: Qytetarët thanë qartë se nuk duan ura të reja mbi Ibër, lëvizje përshkallëzuese e Kurtit
Nënkryetari i Listës Serbe, Dragisha Milloviq, ka deklaruar se pret që komandanti i KFOR-it të ndalojë ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, meqë ata janë përgjegjës për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Milloviq, duke qenë i ftuar në RTS, falënderoi qytetarët për mbledhjen e afro 4.000 nënshkrimeve për tre ditë në një peticion në Mitrovicën e Veriut kundër ndërtimit të urave, duke theksuar se ata qartë kanë thënë se nuk i duan ato.
“Ky është një projekt politik i Albin Kurtit, i cili nuk ka mbështetje në popullin serb. Serbët nuk janë konsultuar për këtë çështje dhe nuk ka pasur debat publik. E gjithë kjo është për qëllime të fushatës politike që Albin Kurti po zhvillon këto ditë para zgjedhjeve lokale. Për gjithçka kemi njoftuar ambasadat e Quint-it në këto hapësira, ambasadën e BE-së, ambasadën amerikane, ambasadat e të gjitha shteteve të pranishme, pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe të gjitha misionet ndërkombëtare”, theksoi nënkryetari i Listës Serbe.
Duke pasur parasysh që edhe BE-ja është distancuar përmes një deklarate nga ndërtimi i urave të reja, Milloviq thekson se pritet një përgjigje më e fuqishme nga bashkësia ndërkombëtare.
“Serbët nuk janë konsultuar, kjo është bërë në mënyrë jotransparente. Kurtit i nxiton sepse ende nuk është zgjedhur kryetari i Kuvendit, ndaj ai dëshiron të fitojë pikë në veri. Bashkësia ndërkombëtare për momentin reagon vetëm me deklarata të buta ndaj gjithë kësaj situate dhe i kërkon Kurtit të përmbahet nga ndërtimi i urave. Ne presim rezultate konkrete, dhe para së gjithash që komandanti i KFOR-it të shprehë mendimin e tij dhe të ndalojë ndërtimin e këtyre urave. Dua të rikujtoj se ura kryesore mbi Ibër është nën kompetencë të KFOR-it, strukturave të sigurisë dhe policisë së EULEX-it, pikërisht për shkak të rrezikshmërisë. Nëse vlerësohet se ura kryesore është e pasigurt, si do të ndikojë ndërtimi i dy urave të reja tek qytetarët tanë? Mendojmë se ato vetëm do ta komplikojnë edhe më shumë situatën tashmë të ndërlikuar në veri, prandaj KFOR-i duhet të ndalojë ndërtimin e këtyre dy urave, pasi ata janë më të përgjegjshmit për sigurinë e njerëzve në këto hapësira”, thekson Milloviq.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse bashkësia ndërkombëtare nuk reagon në mënyrë adekuate, Milloviq thekson se në atë rast ata do të jenë bashkëfajtorë në zbatimin e një projekti politik.
“Shpresoj sinqerisht që nuk do të ndodhë kjo. Nëse ndodh, atëherë bashkësia ndërkombëtare, në një mënyrë, do të jetë bashkëfajtore në zbatimin e një projekti politik të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në lumin Ibër ekzistojnë tre ura që janë të kalueshme si për vetura ashtu edhe për këmbësorë. Nuk ekziston asnjë justifikim në emër të lirisë së lëvizjes. Kjo është një projekt politik, një veprim i njëanshëm dhe nxitës i Kurtit, dhe ne presim që BE-ja, KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare ta ndalojnë këtë projekt”, tha ai.
I pyetur nëse ndërtimi i urave do ta rrisë tensionin, Milloviq përgjigjet po, dhe thotë se qytetarët janë të shqetësuar.
“Kurti do të bëjë gjithçka për ta vështirësuar jetën tashmë të rëndë të serbëve, ai ka bërë gjithçka që të ndalohet Lista Serbe,” tha ai.
Duke komentuar lajmet se tani po hyjnë më shumë mallra në Kosovë, nënkryetari i Listës Serbe thotë se kjo është tregues i qartë i nevojës për mallrat serbe në Kosovë.
“Gjatë muajve të parë të vitit 2024, në Kosovë kanë hyrë mallra serbe në vlerë prej 50 milionë eurosh, ndërsa tani, për gjashtë muajt e fundit, kjo shumë është rreth 110 milionë euro. Kjo vetëm tregon sa shumë kanë munguar mallrat serbe qytetarëve, komuniteteve të tjera, por edhe shqiptarëve. Mallrat serbe janë të pranishme këtu prej dekadash dhe janë me cilësi të shkëlqyer. Fatkeqësisht, dikush tjetër po përpiqet, përmes ndalesës së importit të mallrave serbe, të sigurojë praninë e mallrave nga Shqipëria, të cilat janë të një cilësie shumë më të dobët,” tha ai.
Meqenëse Ambasada Gjermane në Pristinë njoftoi se skanerët për kontrollin e mallrave në vendkalime do të dorëzohen vetëm vitin e ardhshëm, Milloviq kujton se vitin e kaluar në tetor, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dyshon në qëllimet e sinqerta të autoriteteve në Pristinë për të importuar mallra serbe.
"Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare ta njohë këtë. Kjo shkel marrëveshjen Cefta, shpresojmë që të hapen edhe vendkalime të tjera, jo vetëm vendkalimi i Merdarit. Problemet dhe vështirësitë e bashkëqytetarëve tanë janë të mëdha, na mungojnë edhe zgjidhjet e infuzionit, jemi të kërcënuar nga një krizë humanitare. Vetëm një vendkalim në Merdar u hap për mallrat serbe, ka pritje të gjata, transporti është bërë më i shtrenjtë për shkak të gjithçkaje. Presim që të hapen edhe vendkalimet e tjera sepse nuk ka arsye kundër kësaj. Tani problemi thuhet se është teknik për shkak të mosdorëzimit të skanerëve. Kjo është e gjithë mungesa e sinqeritetit të Prishtines dhe arsyeja për ta bërë jetën e serbeve në Kosovë të vështirë”, përfundoi nënkryetari i Listës Serbe.
0 komentet