Mustafa: Vetëvendosje të tregojë gatishmëri dhe të pranojë kandidatin e opozitës për president
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi sot se nuk do të ishte mirë që Vetëvendosjes, e cila ka shumicën në parlament, kryetarin e parlamentit dhe pozitën e kryeministrit, t’i takojë edhe funksioni i presidentit të Kosovës. Ai thekson se kjo parti duhet të tregojë gatishmëri për të mbështetur një kandidat të propozuar nga opozita ose për të cilin ekziston pajtim i përbashkët.
“Zgjidhje nuk do të ishte që Vetëvendosje, e cila ka shumicën në kuvend, kryetarin e parlamentit dhe qeverinë, të ketë edhe presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak”, tha Mustafa për Indeks online.
Përqendrimi i pushtetit në një entitet të vetëm politik, thotë ai, shkel balancën demokratike.
Prandaj, sipas tij, zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit mes partisë në pushtet dhe opozitës.
“Zgjidhja do të ishte që partia që ka shumicën të tregojë gatishmëri për zgjedhjen e presidentit nga opozita ose për një figurë për të cilën pajtohen si partia në pushtet ashtu edhe opozita”, tha Mustafa.
Sipas tij, një qasje e tillë do të ndihmonte në ruajtjen e balancës institucionale dhe politike në Kosovë.
Duke folur për karakteristikat që duhet të ketë një kandidat i mundshëm, Mustafa theksoi se është e vështirë të gjendet një figurë ideale, por ajo duhet të jetë një person që siguron balancë të brendshme, mbrojtje të Kushtetutës dhe përfaqësim të interesave të Kosovës jashtë vendit.
“Nëse nuk ka vullnet, do të ishte më mirë të ndërpritet ky cikël stagnimi dhe të shkohet në zgjedhje”, vlerëson Mustafa.
Ai theksoi gjithashtu se ndryshimet gjeopolitike dhe gjeoekonomike kërkojnë nga të gjithë që të përcaktojnë interesat e tyre.
“Duket se ne nuk jemi në atë rrugë”, tha Mustafa.
0 komentet